Kjo është kënga e fundit e mjeshtrit të muzikës Kujtim Alija bashkë me tri vajzat e tij pak ditë përpara se të ndahej nga jeta. Edhe pse në gjendje të vështirë shëndetësore dokumentari “Kujtimet e Kujtimit” i regjisorit shkodran Marviks Shantoja solli rrëfimet e fundit të jetës dhe karrierës së pasur artistike të dirigjentit, muzikantit dhe drejtuesit të qendrës kulturore të fëmijëve. Regjisori Shantoja thotë se dokumentari u xhirua vetëm dy javë përpara se Kujtim Alija të ndërronte jetë.
Në rrëfimet e tij në këtë dokumentar Kujtim Alija tregoi se si iu desh ta bënte dy herë klasën e parë duke nisur kështu mësimet e para në shkollën e muzikës.
Edhe pasi u rrit, profesor Kujtimi tregon se nuk e kishte të lehtë për të zgjedhur mes sportit e muzikës derisa dy mjeshtra Pjetër Gaci dhe trajneri Esat Rrakiqi e vendosën mes një zgjedhjeje për të cilën nuk u pendua kurrë.
Në mbrëmjen e dokumentarit Këshilli i Bashkisë Shkodër përmes kryetares Brisela Kadia i dha një çmim simbolik mirënjohjeje bashkëshortes së të ndjerit Kujtim Alija.
Profesor Kujtim Alija do të mbetet gjithmonë në kujtesë si një mjeshtër i muzikës, një dirigjent i palodhur i Bandës Muzikore të qytetit, riktheu festivalin mbarëkombëtar të fëmijëve në Shkodër, krijoi festivalin e fëmijëve “Bilbilat e Vegjël Këndojnë”, koncertin e fundvitit “Ndërmendje”, drejtoi qendrën kulturore të fëmijëve për afro 30 vite duke zbuluar talente të shumtë që sot nderojnë Shqipërinë edhe në skenat ndërkombëtare. Më 27 gusht të vitit të kaluar Kujtim Alija u nda nga jeta në moshën 60 vjeçare pas një sëmundje të rëndë duke lënë pas një pasuri të madhe artistike.