Rreth 1 mijë të burgosur mbahen në burgun sekret në veri të Irakut, të gjithë të akuzuar për lidhje me ISIS-in.

Me autorizimin e autoriteteve kurde, media amerikane CNN arriti të hyjë në burgun famëkeq, duke intervistuar 3 prej të burgosurve. Laith Ahmed ishte pjesë e militantëve të ISIS që sulmuan Kirkukun në 21 tetor. Video e xhiruar nga kamerat e sigurisë tregojnë pamjet e operacionit që synonte të shpërqendronte forcat irakiane nga fokusi i tyre kryesor, beteja për Mosulin. Ai qëllohet në këmbë dhe kapet nga banorët e inatosur që ja dorëzojnë forcave të sigurisë kurde. Ahmed po punonte si marangoz kur ISIS pushtoi fshatin e tij pranë qytetit sunit të Hawija-s verën e 2014-s. Tre ditë më vonë një burrë erdhi tek ai duke i premtuar një rrogë nëse do t’i bashkohej Shtetit Islamik. I varfër dhe i pashkollë, Ahmed pranoi, pa i kuptuar pasojat e vendimit të tij. Tani thotë se nuk do të ketë më të bëjë me ISIS.

“Bëra një gabim. Nuk di të shkruaj apo lexoj. Çdo gjë që bëra ishte e gabuar”, thotë ai. 20-vjeçari Akram Ahmed punonte në një dyqan celularësh dhe i pëlqenin mesazhet fetare të ISIS, edhe pse i dukeshin të largëta deri në ditën kur i kërkuan të bëhej pjesë e grupit. “Kalifati na joshi me fenë. Unë jam një student i ligjit të Sharias në universitet. Kështu ideja e një Shteti Islamik mu duk bindëse”, vijoi ai. Studentit iu kërkua të merrej me studimin dhe vëzhgimin e terrenit përpara sulmit në Kirkuk.

Ai përdori telefonin celular për të filmuar godinat e rëndësishme qeveritare e të sigurisë, dhe zbuloi pikat e dobëta që militantët mund të shfrytëzonin për të hyrë në qytet. 20-vjeçari u shpreh i penduar për dëmet që kishte shkaktuar dhe tha se gjithmonë mendon për to. Abdelrahman al-Azy thotë se ishte njeriu që merrej me paratë dhe se pasi i kishte shpallur besnikërinë ISIS një vit më parë, ishte përgjegjës për shpërndarjen e pagave tek militantët dhe familjet e tyre. Pranon gjithashtu se ishte udhëzuar të vriste gjakftohtësisht një person. Al Azy thotë se beson tek predikimet e grupit dhe tek dhuna kundër atyre që konsiderohen joislamikë. “Neve na kanë thënë se jo besimtarët duhet të vriten edhe pse tani nuk jam shumë dakord me këtë. Këtu në burg më thanë se Profeti kishte një fqinj jobesimtar e nuk e vrau atë”, tha ai.

Artikulli paraprakKULT – 11.11.2016
Artikulli tjetërRINAS, AKSIDENTOHET PËR VDEKJE NJË PERSON