Pesë të arrestuarit për rrëmbimin edhe vrasjen e Jan Prengës do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Gjykata refuzoi kërkesën e tyre për lirimin nga burgu, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 49-vjeçarit, ndonëse pa një rezultat. Ndërkohë janë bërë publike pamjet kur të arrestuarit fusin trupin e viktimës në furgon për ta nxjerrë nga resorti “Golden”.

Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për lirimin nga burgu të 5 të arrestuarve për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. Bajram, Leonard dhe Elton Hajri, së bashku me Olsi Turjan dhe Festim Bexhdilin do qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve, ndërsa në kërkim vijon të jetë ende Altin Hajri, pronari i resortit ku dërgua trupi i Jan Prengës.

Gjatë gjykimit në seancën e parë të ndaluarit mohuan akuzat dhe u shprehën se kompleksi ‘Golden’ ku u dërgua pas rrëmbimit Jan Prenga nuk ishte i hapur për shkak të dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26-nëntorit. Por pamjet e kamerave të sigurisë të paraqitura nga prokuroria rrëzuan dëshminë e të arrestuarve.

Ndërkohë këto foto të cilat dalin në dritë për herë të parë tregojnë momentin kur trupi i Jan Prengës futet në furgonin me ngjyrë të bardhë për ta transportuar më pas jashtë resortit “Golden”.

Pasi e nxjerrin trupin nga “Range Rover”, dy persona njëri prej tyre i maskuar me bluze me kapuç dhe doreza, e fusin në furgonin e bardhë.

Një kamer sigurie e garazhit të resortit “Golden”, e harruar pa u shkatërruar, i ka nxjerrë zbuluar rrëmbyesit dhe vrasësit e 49-vjeçarit. Kamera ka xhiruar gjitha lëvizjet e tyre, duke kapur dhe momentin e futjes së trupit në resort, dhe më pas nxjerrjen e kufomës me qese të zeza. Për gjetjen e trupit të viktimës policia ka kryer kontrolle edhe në vijën bregdetare të Durrësit e Kavajës, por dhe aty pa një rezultat konkret.

Gjykata e shkallës parë Tiranë ka shpallur mos-kompetencën ndërsa dosja është dërguar për gjykim në SPAK me akuzën e grupit të strukturuar kriminal.

Nga ana e autoriteteve pesë të arrestuarit akuzohen për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Artikulli paraprakVOLTANA ADEMI: JA KU QEVERIA PO GODET SHKODRËN
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN MBI 500 KG DROGË NGA SHQIPËRIA, ARRESTOHET 45 VJEÇARI ITALIAN