Dy ditë pas ngjarjes së ndodhur në Kamëz ku të paktën dy persona rrëmbyen me dhunë 49 vjeçarin Jan Prenga, policia nuk ka ende asnjë të dhënë mbi vendndodhjen e tij.
Autorët, ende të paidentifikuar pasi u konfliktuan me Prengën teksa ky i fundit po hipte në mjetin e tij, e morën me dhunë dhe e futën në makinën e tyre.
Prej andej, kamerat e sigurisë në zonë zbuluan se autorët u larguan me një mjet tip “Range Rover” me ngjyrë të bardhë. Pas verifikimeve të kryera, burime pranë policisë sqaruan se mjeti në fjalë rezultonte i denoncuar si i vjedhur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:44 minuta në rrugën “London” në Kamëz, e ndërsa mjeti i dyshuar i përdorur nga autorët është fiksuar të largohet në drejtim të Fushë-Krujës.
Por vetëm pak orë më vonë, burime pranë grupit hetimor sqaruan se pikërisht ky mjet u gjet i djegur në rrethinat e Durrësit. Për policisë rrëmbimi i 49 vjeçarit me origjinë nga Puka e banues në Bathore mbetet ende një mister, pasi Jan Prenga nuk rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penalë.
Për të hedhur më shumë dritë për rrëmbimin e tij, efektivë të komisariatit numër 5 në Kamëz morën në pyetje edhe familjarët e tij, të cilët kanë pohuar se nuk kanë asnjë dijeni kush mund të jenë autorët, pasi nuk kanë probleme apo konflikte me njeri.
Të premten në vendngjarje policia gjeti vetëm një mjet tip “Benz” për të cilin u raportua se i përket Jan Prengës, si dhe një këpucë. Si pistë kryesore policia ka atë të ndonjë konflikti të mëparshëm apo borxhi të pashlyer mes 49 vjeçarit dhe autorëve