Rruga e Prekalit është një nga më të frekuentuarat në njësinë administrative Postribë për shkak se lidh Shkodrën me zonat malore, të cilat janë tejet të frekuentuara edhe gjatë dimrit. Kjo rrugë, që tashmë nuk I shërben vetëm banorëve të zonës është kthyer në një problem për të gjitha kalimtarët për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe dherave në të gjithë gjatësinë e saj. Banorët e kanë përcjellë disa herë shqetësimin e tyre përmes Star Plus, por ende mungon angazhimi nga institucionet të cilat janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.
Reshjet intensive të shiut të një dite më parë shkaktuan rrëshqitje të dherave dhe gurëve në këtë zonë. Ky problem nuk mund të jetë I panjohur për institucionet. Nuk ështe hera e parë që në këtë segment ka patur rrëshqitje të gurëve, dhe siç duket as e fundit, deri sa te ndërhyhet me specialistë për të gjetur një zgjidhje që të mënjanohet rreziku. Prej orëve të para të mëngjesit, banorët kanë pastruar vetë disa pjesë të rrugës për të lehtësuar lëvizjen e automjeteve.