Numri i foshnjave të lindura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë vitit 2019, ka qenë 9,528. Ndërkaq numri i vdekjeve në Klinikën Neonatologjike në QKUK është 160.
Këto shifra i ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci. Statistikat për lindshmërinë dhe vdekshmërinë e foshnjave, nuk përfshijnë edhe të dhënat nga spitalet komunale dhe ato nga spitalet apo klinikat private.
Xhevdet Gojnovci thotë se ka pasur foshnje nga e gjithë Kosova me probleme shëndetësore që janë trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë së QKUK-së. Lidhur me 160 foshnjat e vdekura, ai thotë se disa prej tyre, janë sjellë në këtë klinikë edhe nga spitalet rajonale.
“Ne i trajtojmë gjitha foshnjat nga e gjithë Kosova me probleme shëndetësore. Njëqindetridhjetë foshnje kanë lindur këtu, derisa 30 foshnje kanë ardhur nga spitalet regjionale apo nga shtëpia, e të cilat kanë ndërruar jetë. Këto foshnje kryesisht kanë qenë nën peshën 1,600 gramë.
Viteve të fundit kemi një furnizim më të mirë me aparaturë, pasi që jeta e disa foshnjave varet nga aparatura në klinikën tonë. Andaj falë këtij furnizimi dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve, kemi një numër më të vogël të vdekjeve të foshnjave”, thotë Gojnovci.
Gjatë vitit të kaluar, po në këtë klinikë kanë vdekur 203 foshnje, derisa kanë lindur 1,040 foshnje, çka sipas mjekëve, tregon se gjatë këtij viti ka pasur rënie të natalitetit në Kosovë.