Një ndër zonat më të prekura nga përmbytjet në Shkodër është edhe njësia administrative Rrethina, në brigjet e lumit Kir në afërsi të fshatit Bardhaj. Megjithatë, sipas administratorit të kësaj njësie, Vlash Pjetri, për fat të mirë, komuna Rrethina nuk pritet të përmbytet pasi është ndërhyrë më parë në argjinatura dhe shpresohet se do të jenë të mjaftueshme për të mos patur problematika.
Aktualisht ka probleme me energjinë elektrike, e cila prej orësh mungon pothuajse në të gjitha fshatrat e kësaj njësie administrative. Sipas Pjetrit, njësia administrative Rrethina nuk ka patur probleme të tjera të theksuara, përveç një serre bujqësore dhe dëmeve në varrezat e Golemit. Niveli i prurjeve në lumin Kir është rritur ndjeshëm që prej fillimit të shirave, megjithatë situata siç duket është në kontroll.
Mbrëmjen e së enjtes dy banorë të fshatit Bardhanjor shpëtuan për mrekulli pasi rrezikoheshin të mbyteshin nga ujërat e lumit Kir, aty ku kishin mbetur të bllokuar për disa orë.