Shtetet e Bashkuara u rekomandojnë shtetasve amerikanë të mendohen më gjatë për udhëtimet drejt Kinës, për shkak të masave arbitrare dhe ndalimit të largimit, si dhe rrezikut të arrestimit të paligjshëm. Megjithëse nuk përmenden raste konkrete, rekomandimi u bë pasi një amerikan 78-vjeçar u dënua me burgim të përjetshëm i akuzuar për spiunazh në muajin maj. Po kështu, javën e kaluar Kina miratoi një Ligj për Marrëdhëniet me Jashtë që parashikon masa ndaj atyre që konsiderohen se dëmtojnë interesat e Kinës. Kina miratoi së fundmi edhe një ligj kundërspiunazhi që ka trazuar komunitetin e sipërmarrësve të huaj, të cilëve po u bastisen zyrat, si dhe një ligj tjetër për ndëshkimin e kritikëve të huaj.
“Qeveria e Republikës Popullore të Kinës zbaton në mënyrë arbitrare ligjet vendase, përfshirë ndalimin e largimit për shtetasit amerikanë dhe të vendeve të tjera, pa një proces të drejtë dhe transparent të bazuar në ligj”, thuhet në udhëzimin e Shteteve të Bashkuara.
“Shtetasit amerikanë që udhëtojnë apo banojnë në Kinë mund të arrestohen pa iu dhënë qasje tek shërbimet konsullore amerikane apo tek informacioni për krimin për të cilin akuzohen”, thuhet në udhëzim.
Në informacionin e Departamentit të Shtetit thuhet ndër të tjera se autoritetet kineze “duket se kanë gjithashtu autoritetet të zgjeruar për t’i përcaktuar si sekret shtetëror një gamë të madhe dokumentesh, të dhënash, statistikash, apo materialesh, si dhe për të arrestuar dhe akuzuar shtetas të huaj për spiunazh”. Ndër shkeljet e mundshme, udhëzimi radhit p.sh. marrjen pjesë në protesta, dërgimin e mesazheve elektronike që kritikojnë politikat kineze, apo edhe punën e thjeshtë kërkimore në fusha që konsiderohen të rëndësishme. Ndalimi i largimit nga vendi mund të përdoret për t’i detyruar individët që të bashkëpunojnë me hetimet e qeverisë kineze, për t’u bërë presion familjarëve që të kthehen nga vendet e tjera, për të zgjidhur mosmarrëveshjet në favor të shtetasve kinezë, si dhe për “të patur ndikim tek qeveritë e tjera”, thuhet në udhëzimin amerikan. Udhëzime të ngjashme u publikuan edhe për rajonet gjysmë-autonome kineze të Hong Kongut dhe Makaut. Udhëzimet mbanin datën e së premtes dhe iu dërguan gazetarëve të hënën. Shtetet e Bashkuara kanë publikuar udhëzime të ngjashme në të kaluarën për shtetasit amerikanë, por gjatë viteve të fundit ato kanë qenë më tepër në formën e paralajmërimeve për rrezikun e bllokimit nga masat e zgjatura ndaj COVID-it, kur Kina mbylli kufijtë e saj për gati tre vite bazuar në politikën e saj të ashpër “zero-COVID”. Kina është përgjigjur përgjithësisht me zemërim ndaj atyre që i konsideron veprime të Shteteve të Bashkuara për të vënë në pikëpyetje sistemin e saj autoritar të drejtuar nga Partia Komuniste. Kina ka qarkulluar nga ana e saj udhëzime për udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar për rrezikshmërinë e kriminalitetit, diskriminimin ndaj aziatikëve dhe koston e lartë të ndihmës urgjente mjekësore.
Kina nuk bëri ndonjë reagim të menjëhershëm ndaj udhëzimit amerikan të qarkulluar të hënën. Detajet rreth akuzave për spiunazh të ngritura ndaj John Shing-Wan Leungut nuk janë bërë të njohura, për shkak të sistemit autoritar politik të Kinës dhe kontrollit absolut të Partisë Komuniste në pushtet mbi të gjitha çështjet ligjore. Zoti Leung, i cili ka edhe rezidencë të përhershme në Hong Kong, u arrestua në qytetin juglindor Suzhou më 15 prill 2021 – periudhë kur Kina kishte mbyllur kufijtë dhe kishte vendosur kufizime të rrepta ndaj lëvizjeve të brendshme të popullsisë, për të vënë nën kontroll përhapjen e COVID-19-ës. Paralajmërimi për udhëtimin vjen ndërsa marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në pikën më të ulët të viteve të fundit, për shkak të tregtisë, teknologjisë, Tajvanit dhe të drejtave të njeriut, megjithëse palët janë duke ndërmarrë disa hapa për ta përmirësuar situatën. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri një vizitë javën e kaluar në Pekin, që ishte shtyrë prej kohësh, dhe Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen bën këtë javë një vizitë të shumëpritur në Pekin. Kina gjithashtu caktoi rishtazi një ambasador të ri në Uashington, i cili paraqiti letrat kredenciale gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Joe Biden. Incidente të tjera kanë nxjerrë gjithashtu në pah tensionimin e marrëdhënies. Kina protestoi zyrtarisht muajin e kaluar pasi Presidenti Biden e quajti udhëheqësin kinez Xi Jinping një “diktator”, vetëm pak ditë pas vizitës së Sekretarit Blinken. Presidenti Biden i kushtoi pak rëndësi protestës, duke thënë se fjalët e tij nuk do të ndikonin negativisht tek marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe se gjithsesi pret të takohet së shpejti me zotin Xi. Presidenti Biden ka marrë gjithashtu kritika nga Pekini pas deklaratave të hapura se Shtetet e Bashkuara do ta mbronin Tajvanin e vetëqeverisur, në rast se Kina, e cila pretendon se ky ishull është territor i saj, do ta sulmonte atë.
Presidenti Biden tha se deklaratat e tij të hapura për Kinën “thjesht nuk janë diçka që do t’i ndryshonte shumë”. Administrata amerikane gjendet nën presionin e të dyja partive politike për të mbajtur një linjë më të ashpër ndaj Kinës, duke e bërë atë kështu një ndër çështjet e pakta për të cilat bien dakort demokratët dhe republikanët. Krahas disa amerikanëve të burgosur, dy sino-australianë, Cheng Lei, e cila punonte për rrjetin shtetëror të transmetimeve kineze, si dhe shkrimtari Yang Jun, mbahen në burg që nga përkatësisht viti 2020 dhe 2019, pa asnjë njoftim rreth dënimit të tyre. Rasti ndoshta më i njohur i arrestimit arbitrar ishte ai i dy kanadezëve, Michael Kovrig dhe Michael Spavor, të cilët u arrestuan në Kinë në vitin 2018, pak pasi Kanadaja arrestoi Meng Wanzhounë, drejtuese financiare e kompanisë kineze Huwaei Technologies dhe njëkohësisht vajza e themeluesit të kësaj kompanie, bazuar tek një kërkesë për ekstradim nga autoritetet amerikane. Ata u akuzuan për vepra penale të lidhura me sigurinë kombëtare, të cilat nuk u shpjeguan kurrë, dhe u liruan tre vjet më vonë pasi në Shtetet e Bashkuara u arrit me marrëveshje zgjidhja e akuzave për mashtrim financiar ndaj zonjës Meng. Shumë vende i emërtojnë praktikat e Kinës si “politika pengmarrjeje”.