Shkak problemet financiare të klubeve
Superliga rrezikon shtyrjen. Problemet financiare të disa klubeve kanë vënë në pikëpyetje startimin e kampionatit në 24 Gusht. Përfaqësues të disa ekipeve të Superligës u takuan sot me kreun e Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova. Pas mbledhjes Libohova tha se janë në pritje të paketës ligjore për sponsorizimin e sportit dhe më pas do të mbajnë qëndrimin e tyre.
Edvin Libohova, president i Ligës Profesioniste: Ndoshta mund rrezikohet edhe shtyrja e kampionatit, por unë besoj se do ta gjejmë gjuhën, qeveria do të na mirëkuptojë. Këto ditë presim që varianti përfundimtar i ndryshimeve ligjore lidhur me sponsorizimet, të ardhurat personale, tvsh, të publikohet nga qeveria dhe pastaj do të mbajmë qëndrimin tonë, nëse ky variant i dalë nga qeveria përputhet me propozimet dhe objektivat tona.
Çdo gjë për momentin mbetet pezull, teksa do të pritet reagimi nga qeveria.
“Në të kundërt ne do të vazhdojmë të luftojmë për miratimin e asaj që duhet deri në masa të tjera lidhur me zhvillimin e kampionatit”.
Në takim ishin përfaqësues të Partizani, Tiranës, Teutës, Laçit dhe Bylisit. Probleme financiare po kalojë Flamurtari, Luftëtari Tirana e Vllaznia.