Tri zonat në luginën e Drinit, Komani, ishulli i Sardës në Vau Dejës dhe një pjesë e Lezhës mbartin një trashëgimi arkeologjike e cila njihet shumë pak. Në një takim të Aleancës Franceze dhe departamentit të Romanistikës në universitetin e Shkodrës për gërmimet arkeologjike në luginën e Drinit, arkeologia dhe kërkuesja shkencore pranë qendrës franceze të kërkimeve Etleva Nallbani thotë se ka ende fakte të panjohura mbi vendbanimet e lashta dhe kulturën arbërore.
Këto zona arkeologjike në Koman, Sardë dhe Lezhë, tepër të rëndësishme, po vuajnë shpopullimin thotë arkeologia Nallbani ndërsa e cilëson si një gabim thelbësor faktin e turizmit masiv në lumin e Shalës sepse mund të sjell dëme të mëdha.
Arkeologia Nallbani tregon edhe masat që duhen ndërmarrë për të mos lejuar shkatërrimin e zonave arkeologjike në Koman, Sardë dhe Lezhë.
Drejtuesja e Aleancës Franceze në Shkodër, Dhurata Hoxha thotë se ky takim për gërmimet arkeologjike në lumin e Drinit zhvillohet për të promovuar Shkodrën pranë publikut frankofon.
Kërkimet arkeologjike në luginën e Drinit nga arkeologia Etleva Nallbani me mbështetjen e qendrës franceze të kërkimeve shkencore vijojnë prej afro 15 vitesh. Tashmë është momenti që institucionet qëndrore të reagojnë për të mos lejuar shkatërrimin e këtyre pasurive të trashëgimisë që tregojnë mbi identitetin e kombit shqiptar.