Rreziku nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës nga reshjet e shiut si dhe problemet që mund të sjellin reshjet e borës dhe ngricat ishin në fokus të një takimi të Komisionit të Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Qarkut Shkodër. Prefektja Majlinda Angoni kërkoi më shumë vëmendje nga bashkitë dhe gjitha institucionet e tjera për të parandaluar përmbytjet.
Shefi i emergjencave civile në Prefekturë Pëllumb Dani tregoi disa prej problematikave që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme sa i përket masave parandaluese ndaj përmbytjeve.
Ndërkohë zëvendës kryetari i bashkisë Shkodër Onid Bejleri dhe kreu i bashkisë Vau Dejës Kristjan Shkreli treguan për masat që po merren dhe nevojat që kanë për parandalimin e përmbytjeve.
Gjatë këtij takimi të Komisionit të Mbrojtjes Civile u fol edhe për situatën e zjarreve gjatë muajve të verës ku numri ka qenë më i lartë se vitet e kaluara.