Autoriteti Rrugor me anë të një deklaratë për mediat ka sqaruar se urat në vendin tonë po monitorohen, por nuk ka arsye për t’u alarmuar pasi gjendja e tyre nuk është emergjente. Gjithashtu sipas ARRSH-së, 9 ura janë në gjendje problematike dhe në afatin prej dy javësh do të jetë gati edhe projekti për ndërhyrje në këto vepra.
Shtatë ditë pas shembjes së urës në Genova në Itali, Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se gjendja e urave në vendin tonë është nën monitorim, por nuk ka arsye për t’u alarmuar.
Qendro: Dua të deklaroj se nuk jemi në panik, as në emergjencë dhe as në alarm. Jemi në monitorim të vazhdueshëm.
Në një deklaratë për mediat, kreu i ARRSH Afrim Qendro u shpreh se nga 1200 ura që janë në administrim të këtij Autoriteti, 9 prej tyre janë në gjendje më të keqe dhe kanë nevojë për ndërhyrje, ndërsa më problematike shfaqet situata me urën e Dragotit.
Gjendja jo e mirë e këtyre veprave vjen nga mosha e tyre, për shkak se disa kompani nuk respektojnë peshën mbi aks sipas Kodit Rrugor, dhe një tjetër arsye është gërryerja tek këmbet e urës, siç është rasti i urës së Peqinit.
Qendro tha se brenda dy javësh do të jetë gati projekti për situatën e këtyre urave që kanë shfaqur probleme.
ARRSH ka ndërhyrë në 25 ura, jo vetëm tek ato që janë ndërtuar prej shumë vitesh, por edhe tek të rejat, siç është Ura e Ndrojës dhe e Zemblakut.