Rrezikuan mbytjen, policia i shpëton jetën disa pushuesve

Policia Kufitare i ka ardhur në ndihmë në tre raste të ndryshme në Sarandë, Ksamil dhe Himarë, disa pushuesve, të cilët kishin mbetur në det, për shkak të kushteve jo të mira atmosferike! Sarandë Më datë 12.09.2017, shërbimet e Policisë Kufitare u kanë ardhur në ndihmë tre pushuesve, shtetasve R.M., E.H., L.M., të cilët kishin shkuar me mjetin e tyre lundrues tip varkë, në plazhin e Krorëzit dhe për shkak të kushteve jo të mira atmosferike, nuk kishin mundur të ktheheshin. Shërbimet e policisë kufitare kanë shkuar pranë zonës në fjalë dhe u kanë dhënë ndihmë pushuesve, duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg. Sëbashku me këta shtetas kanë qenë edhe shtetasi E.C., si edhe shtetasit polakë P.D., E.D., të cilët ditën e sotme janë kthyer duke përshkuar malin nga Krorëza në Kakome. Ksamil Shërbimet Policore Kufitare sëbashku me rojen bregdetare u kanë ardhur në ndihmë tre pushuesve Kosovarë, konkretisht shtetasve B.S.,V.K., B.B., të cilët kanë rrezikuar të mbyteshin në zonën e ”Shkëmbit të Miseve”, pasi mjeti i tyre lundrues tip “Kanoe”, është fundosur, si pasojë e kushteve të këqija atmosferike. Himarë Policia Kufitare i ka ardhur në ndihmë shtetasit polak M.S., 26 vjeç, i cili ditën e sotme në plazhin e Drimadhës, ka hyrë për tu larë dhe duke notuar, e ka marrë rryma. Shërbimet policore i kanë shkuar menjëherë në ndihmë, duke bërë të mundur nxjerrjen e tij në breg shëndoshë e mirë. Të gjithë shtetasit e lartpërmendur, janë shoqëruar në terren tokësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Artikulli paraprakSHQIPTARI VRITET ME THIKË ARRESTOHET AUTORI
Artikulli tjetërHAJDUTËT HYJNË NË BANESË, VJEDHIN 35 MLN LEKË DHE 3 MIJË EURO