Kompania Shega Trans bën me dije se helikopteri i ulur dje në Hanin e Hotit është helikopteri i tyre dhe jo helikopteri i Forcave të Armatosura i cili u rrëzua në Malësinë e Madhe.
“Kompania “Shega Trans” sha, duke u nisur nga disa lajme të publikuara në mediat online lidhur me aksidentin e ndodhur dje ne një helikopter të FA-ve në liqenin e Shkodrës , ndjen detyrimin moral të bëjë këtë komunikim për të sqaruar mediat dhe opinionin publik. Kompania jonë gjatë ditës së djeshme ka kryer 2 fluturime ajrore në veri të Shqipërisë, konkretisht nga vendi i quajtur “Shtoj, Malësi e Madhe për në Curraj i Eperm , Tropojë. Këto dy fluturime janë kryer për të përmbushur amanetin e një qytetari shqiptar të vdekur jashtë kufijve të Shqipërisë për ndërtimin e varrit të tij në vendin e lindjes Curraj i Epërm, Tropojë”. Kompania shton se: “Për këtë arsye kemi bërë dy flurimime për të transportuar pllakat e mermerit dhe materialet e nevojshme për ndërtimin e varrit. Kompania Shega Trans gjen rastin të shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të cilët humbën të dashurit e tyre në këtë aksident tragjik, Forcave të Armatosura të cilat humbën njerëzit e tyre të shtenjtë, si edhe mbarë shoqërisë civile për këtë humbje të dy të rinjve të cilët po stërviteshin pikërisht për të shpëtuar jetë njerëzish”. Sipas pretendimeve të ish kryeministrit Berisha, helikopteri i rrëzuar është ulur fillimisht në Hanin e Hotit për tu ngarkuar me mermer e më pas është nisur për ta transportuar në Vermosh, aty ku sipas tij, po ndërtohet një rezidencë e ministres Mimi Kodheli.
/ Star Plus TV /