Fundi i një kombi të madh në futboll. Me këtë titull është hapur faqja e parë e të përditshmes më të madhe gjermane “Bild” që e ilustron me një foto ku shfaqet gjithë zhgënjimi i veteranit Neuer dhe talentit Musiala.
“Sigurisht që në ndeshjen paralele një vendim milimetrik ndikoi në këtë eleminim dhe ka shumë mundësi që gjatë gjithë pjesës së dytë Spanja të ketë toletuar diçka pasi kërkonte të kualifikohej si e dyta në grup. Gjithsesi, përgjegjës për këtë disfatë nuk janë veçse drejtuesit e federatës, lojtarët dhe trajneri i Kombëtares, askush tjetër!”, shkruan “Bild” që shton se në datën 1 dhjetor 2022 gjermanët ishin dëshmitarë ne fundin e krenarisë së një kombi të lavdishëm futbolli.
“Fundi është brutal. Largim nga grupet e Kupës së Botës 2018, eleminim në 1/8 e Kupës së Europës dhe eleminim nga grupet e Botërorit 2022. Gabimet nuk janë vetëm të Low ose Flick por ky i fundit ka shumë faje pasi nuk ndërtoi dot një aks të fortë gjatë vitit të fundit. Bëri shumë ndryshime me Japoninë ndërsa dëgjoi zërin e tifozëve për të hedhur në fushë lojtarët që ata dëshironin. Trajneri i Kombëtares duhet të mësojë sa më shpejt nga këto gabime”, shton tabloidi gjerman.
Në fund, “Bild” thekson realitetin e hidhur: “E vërteta është se nuk jemi më një skuadër e klasit botëror por askush në federatë nuk dëshiron ta pranojë një gjë të tillë”.