Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili kundërshtoi zgjatjen e hetimeve ndaj tij. Vendimi u mor sot nga gjyqtari Bib Ndreca.
Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e hetimeve edhe me tre muaj për shkak se pret dy letërporosi nga Gjermania dhe SHBA, por avokati i Llallës deklaroi se organi i akuzës e ka patur kohën e mjaftueshme për të kryer hetimet ndaj klientit të tij. Gjithsesi, Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeprokurorit.
Adriatik Llalla është në hetim për tre akuza: pastrim parash, fshehje apo mosdeklarim të pasurive dhe mosdeklarim i të hollave në kufi.
Prokurori i çështjes duhet të presë një letërporosi nga Gjermania mbi shpenzimet e ish-Prokurorit të Përgjithshëm që nisin nga vizitat e tij në këtë shtet, por edhe shkollimi i fëmijëve që, siç beson prokuroria, kapin shifrën e 60 mijë eurove, por që, siç dyshohet kjo shumë nuk është deklaruar në kufi.
Në këtë përplasje me-ish shefin e akuzës, prokuroria ka fituar episodin e parë përsa i takon disa prej pasurive të Adriatik Llallës, me vlerë gati një milion euro.
Bëhet fjalë kryesisht për troje dhe një apartament që gjenden në sekuestro preventive dhe që për rikthimin e tyre tre gjykata kanë nxjerrë fituese prokurorinë.