Deputetja Jorida Tabaku akuzoi nga foltorja e Parlamentit qeverinë dhe mazhorancën se ka lënë pas dore dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si Industria fasone dhe Bujqësia, teksa bizneset duhen rimodeluar dhe ndihmuar, pasi po falimentojnë, edhe për shkak të zhvlerësimit të euros. Tabaku kritikoi buxhetin e propozuar dhe kërkoi përfshirjen e amandamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, me qëllim dhënien e ndihmës së industrisë dhe bujqësisë, për të shmangur falimentimet e mëtejshme.
“Këtë buxhet nuk e ndjen askush përveç qeveritarëve, shqiptarët janë më të pambrojturit”, tha Tabaku ndër të tjera. Ajo bëri thirrje në sallën e Parlamentit që të merrej parasysh amendamenti dhe propozimet.
Pavarësisht fjalës dhe thirrjes së saj, mazhoranca e rrëzoi me 69 vota kundër, zero abstenime dhe vetëm 16 pro amendamentin e saj për tregun e zhvlerësimit të euros. Teksa deputeti socialist Eduart Shalsi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, tha se “nuk është zhvlerësuar euro, por është forcuar Leku”.
Fjala e Tabakut në Parlament:
“Si ka mundësi që këtë buxhet të madh s’e ndjen askush, as qytetarët, as bizneset, përveç qeveritarëve sigurisht. Kur e krahasojmë me rajonin, shqiptarët mbeten më të pambrojturit. Shumë sektorë po vuajnë si rezultat i zhvlerësimit të euros. Më i prekuri ai i fasonerisë me peshë 30 për qind të eksporteve dhe mbi 70 mijë të punësuar.
Janë mbyllur kompani të shumta, shifra alarmante në të gjithë vendin në këtë sektor. Industria është sektori i dytë që e reflekton këtë krizë. Rezultat i informalitetit dhe parave të pista, janë dëmtuar rëndë. Këto biznese nuk kanë fitim, çfarë do ngrijë qeveria për taksën e tatim-fitimit. Këto sektorë duhen ndihmuar. Bujqësia po shkatërrohet, është mbytur, po detyrohen të mbyllen fabrikat, po hidhen punonjësit në rrugë. Çfarë prodhon Shqipëria, cfarë produkti ka ‘made in Albania”. Bizneset duhet të përshtaten me tregun, të funksionojë sipas tij, por ne duhet t’i ndihmojmë, të vendoset një fond garancie dhe subvencion, siç kam propozuar në amendament. Ndihma për këtë industri është për 70 mijë familje shqiptare që mund të hidhen në rrugë. Po flasim për paga të ulëta, për punonjës që kanë vetëm këtë mënyrë jetese. Dhe rritja e pagave dëmton sektorin e industrisë, por situata mbetet e njëjtë. Dhënia e ndihmës urgjente Bujqësisë, Industrisë, janë urgjente, sikurse dhe rimodelimi i biznesit. Koncepti i tyre është vetëm panairet, këto tre sektorë janë shëmbëlltyrat më të mira për këtë vend dhe janë lënë pas dore…”.