Një aeroplan “Boeing 737” është rrëzuar menjëherë pak pas ngritjes në fluturim nga aeroporti “Imam Khomeini” në Teheran, ku konfirmohet se kanë humbur jetën të gjithë personat që ishin në bord, 167 pasagjerë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit.

Ngjarja ka ndodhur në orën 02:42, rreth një orë pas sulmit ndaj bazave amerikane nga Irani, megjithatë, ambasada Ukrainase në Iran ka konfirmuar se shkak ka qenë një defekt teknik.

Në reagimin zyrtar, përfaqësuesit e ambasadës ukrainase përjashtojnë mundësinë e një akti terrorist apo një sulmi me raketa. Avioni ishte nisur drejt Kievit në momentin e rrëzimit, e ndërsa ekipet e shpëtimit kanë shkuar në zonën, por shanset për të gjetur të mbijetuar janë zero.

Teheran, vendi ku është rrëzuar avioni dhe distanca dy ndaj bazave amerikane që u sulmuan (Erbil dhe Al-Asad aibase)

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave, e ndërsa bën me dije se ka nisur puna për identifikimin e personave që humbën jetën.

“Sipas informacionit paraprak, të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit kanë humbur jetën. Ambasada jonë po punon për të sqaruar rrethanat e tragjedisë dhe listën e pasagjerëve të vdekur. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet dhe të dashurit të të gjithë pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit”, shkruan Zelensky.

Irani duket se është shndërruar në një vend të mallkuar për avionët. Vdekja e 176 personave ditën e sotme të cilët po udhëtonin me Boeing 737, është incidenti më i fundit në listën e gjatë të avionëve të rrëzuar në Iran. CCN ka sjellë në vëmendje të gjitha rastet kur është rrëzuar një avion në Iran.

Në vitin 2009, një aeroplan u rrëzua në veriperëndim të Iranit , afër qytetit të Qazvin. 168 persona humbën jetën, mes tyre 10 anëtarë të ekipit rinor të xhudos.

Në vitin 2011, një avion iranian u rrëzua pranë qytetit veriperëndimor të Orumiyeh, në mot të keq. 77 persona humbën jetën.

Në vitin 2018, një aeroplan iranian “Aseman” u rrëzua në fshatin Kohangan, në jug të vendit, duke vrarë të 65 personat në bord .

Në vitin 2019, një aeroplan ngarkesash Boeing 707 që i përkiste ushtrisë së Iranit u rrëzua pranë Teheranit pasi piloti humbi kontrollin e avionit. 50 personat në bord vdiqën.

 

Artikulli paraprakDY AKSIDENTE NË PAK MINUTA,TRE TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërVRASJA E GJENERALIT, IRANI SULMON BAZAT AMERIKANE NË IRAK, TEHERANI: KY ËSHTË VETËM FILLIMI! TRUMP: JEMI MË TË FUQISHMIT