Të ardhurat në buxhetin e shtetit për 11 muaj të këtij viti janë rritur me 220 milion dollarë. Kontributin kryesor për shtimin e arkëtimeve në buxhetin e shtetit e ka tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili krahasuar me një vit më parë ka sjellë 70 milion dollarë më shumë, ndërsa nga akcizat shtesa është në nivelin e 34 milion dollarëve. Sipas ministrisë së Financave, TVSH-ja për importet e karburantit ka rënë për shkak të rritjes së prodhimit dhe përpunimit të naftës në tregun vendas, por me rritje kanë rezultuar futjet në doganë të gazit të lëngët, cigareve dhe kafesë.
Për shkak të efektit që dha mbi çmimin fiskal të pronës ligji për rivlerësimin e pasurisë, financat raportojnë me ulje të ardhurat nga tatimi personal.
Ndërsa renta minerare është ulur për shkak të rënies së eksportit të naftës bruto.. Tatimi i dividentit është taksa që ka përqindjen më të ulët të realizimit për këtë vit. Në Janar –Nëntor janë mbledhur 1.7 milion dollarë nga 8 milion që ishte plani.
Qeveria ka arritur të kursejë rreth 30 milion dollarë vetëm nga interesat e borxhit, ndërsa në 11 muaj janë ende të pashpenzuara 220 milion dollarë për investime publike.
Aksioni anti-informalitet ka verifikuar në terren 28 mijë subjekte, ku 20% e tyre janë gjetur me shkelje.
Gjatë kësaj periudhe janë mbyllur 568 biznese, ku një pjesë nuk rezultonin të regjistruar në tatime dhe një pjesë tjetër janë gjetur me shkelje për moslëshim kuponi për herë të dytë.