Viti 2021 është mbyllur me shifra rekord mbi kreditimin e ekonomisë. Në raport me vitin 2020 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia e dhënë për ekonominë është rreth 9.2% më e lartë. Rritja më e madhe është reflektuar në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, si pasojë edhe e përmirësimit ekonomik.
Në total në fund të dhjetorit totali i kredisë së dhënë ishte 666.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 58 miliardë lekësh krahasuar me 2020. Më shumë hua është dhënë për tregtinë me pakicë e shumicë dhe riparimin e automjeteve e motoçikletave, ndjekur nga ndërtimi dhe industria përpunuese.
Kredia e dhënë për bizneset dhe qytetarët është përdorur për konsum dhe investime, por edhe për të mbuluar nevojat për likuiditet.
Përpos përmirësimit të situatës ekonomike dhe kërkesës së lartë për kredi që u regjistrua në 2021, edhe bankat kanë pasur një qasje më pozitive ndaj kreditimit, duke qenë se kanë lehtësuar kushtet e kreditimit.
Gjatë vitit të kaluar bizneset kanë marrë më shumë kredi për kapital qarkullues, investime, ristrukturimin e kompanive, si dhe rifinancimin e borxheve ekzistuese.
Ndërsa nga ana tjetër Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, bankat kanë raportuar rritje të kërkesës për kredi nga qytetarët për blerje banese, e ndikuar kjo, nga shtrenjtimi i apartamenteve.