NJË NUMËR I MADH TURISTËSH KA ZGJEDHUR SHQIPËRINË SI DESTINACION. Rritja e temperaturave ka bërë që të shtohet edhe numri i pushuesve që kanë vendosur të kalojnë pushimet në vendin tonë.ditet e fundit janë krijuar radhë të gjata në Pikën e Kalimit të Muriqanit. Një numër i madh turistësh kanë zgjedhur Shqipërinë për të shijuar pushimet. Sipas të dhënave në këtë pikë, vetëm gjatë 24 orëve kanë hyrë 4800 persona. Për të shmangur radhët dhe orët e gjatë të pritjes është rënë dakord nga policitë kufitare të dy vendeve që të merren masa, në mënyrë që t’i jepet fund këtij shqetësimi.
Një prej masave të marra nga dy policitë kufitare është ajo e lehtësimit të procedurave gjatë kalimit të kufirit nga të dyja palët. Mirëpo, gjatë ditëve në vazhdim pritet që fluksi i pushuesve që do të hyjnë nga kjo pikë kufitare të rritet, por edhe anasjelltas. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh zgjedhin Malin e Zi për të kaluar pushimet dhe kjo tregohet edhe nga të dhënat. Në 24 orët e fundit janë larguar nga Muriqani 3000 shqiptarë. Pritet që gjatë muajve korrik dhe gusht fluksi të jetë më i madh, sidomos 15 ditët e para të muajit gusht. Periudhë kjo e preferuar në masë për pushime. Sipas shërbimit meteorologjik, gjatë kësaj jave pritet të ketë një rritje të temperaturave në vend. Ditën e mërkurë, temperaturat do të arrijnë deri në 40 gradë dhe kjo do të vijojë gjatë gjithë javës. Numri i personave që do të zgjedhin bregdetin pritet të rritet. Megjithatë, mjekët këshillojnë që të evitohet dalja në orët e pikut, sidomos nga fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë edhe dy kategoritë më të rrezikuara. Ndër të tjera, mjekët bëjnë thirrje që të konsumohen sa më shumë lëngje.