Një bukë masive në Fier kushton 150 lek! Duke pësuar një rritje me 40 lek brenda ditës. Furrtarët tregojnë se shkak është rritja e çmimit të miellit.

“Rritja e bukës vjen se kanë ndryshuar dhe çmimet e tjera, kryesisht miellin që e blejmë shumë shtrenjtë”, tha një furrtar.

Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë nga institucionet të ushtrojnë kontrolle për frenimin e abuzimit me çmimet e bukës dhe ushqimeve të shportës.

“Nuk e përballoj dot se 160 mijë e kam pensionin. Çfarë të blej bukën apo ilaçet që më shkojnë 30 mijë lek?, tha një e moshuar.

“Edhe ushqimet janë rritur të gjitha, aty ku s’mban më ka shkuar gjendja”, tha një tjetër.

Tabela me çmime është afishuar në xham! Një bukë masive me peshë 800 gr kushton 100 lek në Kukës. Të gjitha furrat e bukës në qytetin verilindor kanë rritur çmimet, ndërsa për qytetarët jetesa po bëhet e papërballueshme.

“1000 lek buka sot, më herët ka qenë 800 lek. Marr tre bukë në ditë se jemi familje me 7 anëtarë”, tha një qytetar.

Buka po shitet 20 lekë më shtrenjte dhe në Lezhë. Qytetaret kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për të frenuar rritjen e çmimeve.

” Ka qenë 1 mijë dhe është bërë 1200 lek. Zgjidhja do të ishte ndërhyrja e qeverisë për paketë sidomos për pensionistët”, thanë ata.

Rritja e çmimeve ka nisur në muajt e fundit të 2021 dhe ka arritur kulmin pas luftës në Ukrainë. Karburanti dhe mielli po japin efektin zinxhirë në rritjen e produkteve të tjera.

 

I.K./Shqiptarja.com
Artikulli paraprakSHKODRANËT NË MAL TË ZI PËR NAFTË, 50 LEKË MË LIRË
Artikulli tjetërMETA URON HOMOLOGEN E TIJ HUNGAREZE PËR ZGJEDHJEN NË KRYE TË SHTETIT: BESIMPLOTË SE DO TË KONTRIBUOJË NË THELLIMIN E MARRËDHËNIEVE TË SHKËLQYERA MIDIS DY VENDEVE!