Përmirësohet ndjeshëm situata e prodhimit të energjisë elektrike në vend.Reshjet intensive të shiut kanë bërë që korporata elektroenergjitike shqiptare të nisë eksportin e energjisë elektrike që prej ditës së hënë.
Në procedurën e fundit u shitën 13 mije e 260 mega energji me një vlerë prej 2.6 mln euro. Ndërkohë çmimi i shitjes varion sipas fashës orare dhe lotit nga 141 euro në 246 euro për megavator. Nëse bën një krahasim me shitjet në bursë rezulton se shitja është realizuar me çmime të favorshme në një kohë që KESH ka tepricë prurjesh dhe është i detyruar që të shesë. Për të dyja procedurat e shitjes gjatë kësaj jave KESH ka arkëtuar një totale prej 3.3 milionë eurosh. Ndërkohë që prurjet vijojnë të jenë me intensitet të lartë. Në Fierzë gjatë së mërkurës prurjet vlerësohet rreth 1 mijë metër kub në sekondë .Ndërkohë që niveli ka arritur në 276 metra duke pësuar një rritje me gati 9 metra në pak ditë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tashmë plotëson nevojat e vendit për furnizim me energji elektrike . Qeveria ka anuluar pak më parë aplikimin e fashës për abonentët që shpenzojnë mbi 800 Kwh energji për muajin nëntor.
Sipas parashikimeve meteorologjike reshjet intensive të shiut pritet të vijojnë edhe në javët e ardhshme çka nënkupton se fasha nuk do të aplikohet edhe për muajin dhjetor.