Në muajin prill është përmirësuar ndjeshëm situata hidrike në Liqenin e Fierzës, duke vijuar përmirësimin prej disa javësh ndërkohë që KESH bën të ditur se për hidrocentralin e Fierzës, është vendosur që të ndalohet prodhimi prej gati një muaji, për të bërë të mundur rritjen e rezervës energjetike.

Ky vendim por edhe reshjet e disa ditëve më pare kanë sjellë rritjen e nivelit në liqenin e Fierzës në 281.03 m, ndërsa kuota maksimale është 296 m. Krahasuar me marsin niveli në liqen është rritur me 23 metra, duke rritur ndjeshëm rezervën ujore dhe energjetike në vendin tonë. Fierza në mars ishte në kuotën e 258 metra, kur dolën dhe rrënojat e Kukësit të vjetër.

Por largimi i reshjeve ka bërë që niveli i prurjeve në liqenin e Fierzës, të pësojë një ulje krahasuar me një javë më parë. Sipas, KESH aktualisht në këtë liqen prurjet llogariten 280 m3/s ndërkohë që një javë më për ato ishin në 320 m3/s.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi se prurjet në kaskadën e Drinit llogariten 430 m3/s, ndërsa prodhimi është 4666 MWh.

“Prurjet natyrore në kaskadë janë 430 m3/s. Niveli i liqenit të HEC-it të Fierzës është 281.03 m, ndërsa kuota maksimale është 296 m. Niveli i liqenit të HEC-it të Komanit është 170,34 m, ndërsa kuota maksimale është 175.5 m. Niveli i liqenit në HEC-in e Vaut të Dejës është 73.38 m, ndërsa kuota maksimale është 76 m”, bën të ditur KESH.

Prurjet natyrore në HEC-in e Fierzës llogariten 280 m3/s, në HEC-in e Komanit 140 m3/s, ndërsa në atë të Vaut të Dejës, 10 m3/s.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESH, aktualisht prodhimi ditor në 2 HEC-et e kaskadës, Koman dhe Vau i Dejës, pasi në HEC-in e Fierzës nuk po prodhohet, llogaritet 4666 MWh, ndërsa rezerva energjetike është 795 GWh.

Artikulli paraprakNËNTË DITË I FSHEHUR NË HOTEL, ARRESTOHET AUTORI I PLAGOSJES NË PERASH TË SHKODRËS
Artikulli tjetërBLEGTORËT DHE FERMAT NË RREZIK FALIMENTIMI NGA RRITJA E KOSTOS, SHTRENJTOHET QUMËSHTI 50%