Policia gjermane ka marrë në pyetje një person që dyshohet si autor i sulmit me kamion të ndodhur të hënën në mbrëmje në një treg Krishtlindjesh në zemër të Berlinit, ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën 48 të tjerë.

Sipas agjencisë së lajmeve DPA, drejtuesi i mjetit është një azikërkues nga Afganistani. Ai mësohet të ketë mbërritur në Gjermani në Shkurt si refugjat. E përditshmja Tagesspiegel tha se i ndaluari është i njohur për autoritetet në vend për krime të vogla, por jo për lidhje me terrorizmin. Politikanët gjermanë deri më tani kanë shmangur që ta konsiderojnë sulmin si terrorist, megjithatë Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere u shpreh se të dhënat sugjerojnë se kemi të bëjmë me një të tillë. Tregu ku ndodhi sulmi është në Breitscheidplatz, pranë Kurfuerstendamm, rruga kryesore e pazarit në perëndim të Berlinit. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë kishës Kaiser Wilhelm Memorial, e cila u dëmtua gjatë bombardimeve të Luftës së Dytë Botërore, e që ruhet si simbol i paqes. Kamioni, i cili ishte i ngarkuar me trarë çeliku, u fut në treg në një prej orareve më të populluara, duke marrë përpara tezgat prej druri të mbipopulluara nga turistë dhe banorë të zonës. Drejtuesi i kamionit u ndalua pasi e braktisi këtë të fundit dhe tentoi të arratisej në këmbë. Policia konfirmoi se në kamion u gjet i vdekur një person me kombësi polake. Dyshohet se ai mund të ketë qenë shoferi origjinal i kamionit, që u mor peng nga autori.

Artikulli paraprakGRUEVSKI U KUNDËRVIHET TË GJITHËVE
Artikulli tjetërMOTI PËR SOT, I KTHJELLËT