Instituti i Statistikave raportoi se papunësia u rrit me 0.2 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit. Më konkretisht, sipas Instat-it, nga 17.3% që ishte në fund të qershorit, niveli i papunësisë u rrit në 17.5% në tremujorin e tretë.
Sipas Instat-it, papunësia është rritur edhe krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar, kur ky tregues ishte 17.4%. Të dhënat e reja tregojnë se në harkun kohor të një viti, pra shtator 2014 deri në shtator 2015, ekonomia ka prodhuar 20 mijë e 630 vende të reja pune. Por ky ritëm i krijimit të vendeve të reja të punës ka qenë i pamjaftueshëm për të mbuluar shtesën në forcën punëtore gjatë këtij viti, duke çuar rrjedhimisht në rritjen e treguesit të papunësisë. Muaji shtator përkon me fillimin e aksionit informalitet. Ministria e Financave deklaroi se për shkak të kontrolleve tatimore në periudhën shtator-tetor, numri i të punësuarve formal u rrit me 73 mijë vetë. Por kjo nuk rezulton, të paktën sipas anketës së papunësisë. Megjithatë, anketa mbulon vetëm muajin shtator, pra nuk e përfshin tetorin dhe rezultatet e saj llogariten përmes sondazheve. Ministria e Financave pretendon se shifrat e hapjes së 73 mijë vendeve të reja të punës shtator dhe tetor vjen nga burimi administrativ, pra borderotë që dorëzohen pranë tatimeve. Përtej argumentave, rritja, edhe pse e lehtë e treguesit të papunësisë, dëshmon edhe një herë vështirësitë e ekonomisë për të prodhuar punësim në ritme të shpejta. Madje, në disa grupe si ai i të rinjve, nga 15 deri në 29 vjeç treguesi i papunësisë llogaritet mbi 32%. Edhe pse krahasuar me një vit më parë papunësia e të rinjve është ulur me gati 2%, ajo mbetet sërish në nivele të larta dhe sipas Instat-it një pjesë e këtyre të rinjve janë të papunë afatgjatë.