Pas datës 15 shkurt qumështi dhe nënproduktet e dhisë dhe të deles do të shiten tek konsumatori nga 8-37% më tepër pasi sipas tyre qumështi tek fermerët po blihet më shtrenjtë. Për konsumatorët kjo do të jetë një goditje tjetër pas rritjeve që kanë pësuar gjatë muajve të fundit çmimet e produkteve bazë. Qytetarët e Shkodrës shprehen se pas rritjes së çmimit do të detyrohen të blejnë më pak nënprodukte të qumështit pasi nuk mund t’i përballojnë.

Pikat e shitjes me pakicë janë njoftuar nga kompanitë e përpunimit të qumështit se duke nisur nga 15 shkurti furnizimet e bulmetit për qytetarët shqiptarë do të kenë çmime deri në 37% më të larta. Ndërsa, që nga muaji mars 2022 konsumatorët janë përballur me rritje të vazhdueshme të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me argumentin e mungesës së prodhimit dhe të rritjes së kostove. Sipas të dhënave të INSTAT arsyeja se pse kjo rritje çmimi vijon të ndodh është sepse numri i krerëve të bagëtive që nga vitit 2014 deri në vitin 2021, ka rënë ndjeshëm, për gjedhët me 32.6%, për delet me 21.3%, për dhitë me 13.8%.

Po ashtu prodhimi i qumështit regjistrohet në nivelin më të ulët në 2021-shin, në afro 1 milionë ton, shifra më e ulët në 10 vite. Ndërkohë pavarësisht se shifrat e detajuara të sektorit i përkasin 2021-shit, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, përgjatë vitit 2022 prodhimi i mishit dhe qumështit ra me 5% dhe 3%, çka reflekton edhe vijueshmërinë e rënies së mbarështimit të bagëtive.

 

Artikulli paraprakQYTETARËT: NË PROTESTË TË MARRIN PJESË TË GJITHË
Artikulli tjetërE ZONJA E SHTËPISË: ZJARRI I QËLLIMSHËM, 50 MLN DËM