Agjensia kundër krimit të organizuar në Europë, Europol, ka informuar sot të dhëna alarmuese mbi këtë fluks të organizuar të emigrantëve drejt Europës. Për Agjensinë franceze AFP, kreu i saj Robert Crepinko ka deklaruar se një ushtri e vërtetë prej 30 mijë personash, të kombësive të ndryshme, me role e detyra të përcaktuara janë përfshirë në trafikun e qënieve njerëzore e të mbërritjes së emigrantëve në Europë.
Ky grup i madh personash organizon lëvizjet e spostimet e valës së emigrantëve me një përfitim ekonomik prej miliarda eurosh. Vetëm 3 mijë nga 30 mijë personat e dyshuar merren me administrimin e fluskit të emigrantëve përmes detit Mesdhe, pjesa tjetër mbulon rrugën përmes Ballkanit e Hungarisë, si dhe atë mes Azisë e Afrikës me pikëmbërritje finale në Europë. Sipas Frontex, agjensisë europiane për kontrollin e kufijve, e zëdhënëses së saj të shtypit Izabelle Cooper, “trafiku i qënieve njerëzore, duke përfshirë dhe personat e destinuar për tregun e seksit në Europë, është më fitimprurësi i momentit për ogranizatat kriminale, duke kapërcyer tregtinë e kontrabandës së armëve e të drogës.”