Krahas rritjes së pagës minimale nga 22 në 24 mijë lekë që u miratua në muajin maj, rritet edhe masa kontributive e sigurimeve shoqërore.
Në një dokument të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëhet me dije se masa kontributive për sigurimet shoqërore tek të punësuarit rritet me 554 lekë të reja. Ndërkaq, paga minimale përfshin edhe të vetëpunësuarit. Rrjedhimisht masa kontributive për sigurimet shoqërore në sektorin privat ndryshon me 661 lekë.
Masa kontributive mujore që ishte 6491 lekë bëhet 7152 lekë në muaj. Ata që përfitojnë nga rritja e pagës minimale janë të punësuarit në sektorin fason, pagat e të cilëve janë shpeshherë poshtë niveleve të vendosura nga qeveria. Ndërkohë, rritje ka pësuar edhe paga maksimale.
Për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, ajo do të jetë 105850 lekë. Masa e kontributeve mujore rritet gjithashtu, nga 24354 shkon në 33192 lekë. Paga minimale në shkallë vendi prej 24,000 lekësh shërben edhe për llogaritjen e pagesës së detyrueshme kontributive për sigurimin shëndetësor.