Paga e një nëntetari në vitin 2024 do të arrijë në shifrën e 94,540 lekëve. Ky është vendimi që ka marrë qeveria për rritjen e pagave në vend në mënyrë që ushtarakët të mos renditen të fundit për nivelin e pagave të tyre.

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se synimi është t’i afrohen mesatares së NATO-s. Në një postim në Facebook, Rama thotë se pagat e Ushtrisë Shqiptare ishin për një kohë të gjatë një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por nuk kishin asnjë rrugë tjetër përveçse të çonin përpara ndryshimet e domosdoshme, pa të cilat pagat nuk mund të rriteshin siç duhej dhe siç e dëshironin të gjithë.

Me ndryshimin e bërë nga qeveria, paga e një nëntari që aktualisht është 65,100 lekë, në maj të këtij viti do të rritet në 84,369 lekë dhe në maj të 2024 do shkojë në 94,540 lekë. Kryeministri Rama tha se rritja e pagave janë frut i një përpjekje të gjatë për të rritur ekonominë shqiptare.

“Pagat e Ushtrisë Shqiptare ishin për një kohë të gjatë një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por s’kishim asnjë rrugë tjetër përveçse të çonim përpara me këmbëngulje e durim ndryshimet e domosdoshme, pa të cilat pagat nuk mund të rriteshin siç duhej dhe siç e dëshironim të gjithë. Tanimë kushtet kanë ndryshuar shumë dhe ushtarakët tanë nuk janë më të fundit e rajonit për nivelin e pagave të tyre, përkundrazi, ata kanë paga ndër më të lartat të cilat do të vazhdojmë t’i rrisim drejt mesatares së NATO-s.

Pagat e reja, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900Eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, pagat e reja janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shkroi Rama.

Artikulli paraprakBERISHA: RAMA IU KA DHËNË NGA 1 MLN EURO SECILËS KOMPANI TË POLLE-VE, RRITJA E REZULTATEVE PËR KANDIDATËT TANË VERTIKALE
Artikulli tjetërFUSHATA PËR ZGJEDHJET E 14 MAJIT, ALIBEAJ PREZANTON STRATEGJINË E PD: DO ECIM ME VLERA SI INTEGRITETI DHE MOSBËRJA E KOMPROMISIT