Në Shkodër është kthyer në një shqetësim të madh për të gjithë sektorin e ndërtimit rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4% në 8% nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës në zonën historike, Shirokë, Zogaj, Theth dhe Velipojë. Anëtari i Këshillit Bashkiak Imeldi Sokoli që e kundërshtoi rritjen e kësaj takse përpara se të miratohej, thotë se dëgjesa publike për këtë taksë ka qenë formale nga bashkia Shkodër duke mos ftuar asnjë ndërtues.
Me rritjen e kësaj takse dëmtohen ndërtuesit thotë këshilltari Sokoli ndërsa mund të ndikojë në rritjen e informalitetit dhe mund të jetë një nxitje më shumë për ndërtimet pa leje.
Një absurd i bashkisë Shkodër shprehet këshilltari i PD është fakti se aktualisht të gjitha lejet e ndërtimit janë të bllokuara prej kohësh dhe në anë tjetër bashkia dyfishon taksën e ndikimit në infrastrukturë nga 4% në 8%.
Një prej efekteve negative të taksës së ndikimit në infrastrukturë do të jetë edhe rritja e menjëhershme e çmimit të shtëpive në Shkodër duke dëmtuar kështu çiftet e reja që nuk mund të blejnë një banesë.
Rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë nuk është pritur aspak mirë nga të gjithë ndërtuesit që investojnë në Shkodër dhe Velipojë. Ky shqetësim nuk lidhet me kompaninë Star Plus e cila ka përballuar çdo krizë deri më tani dhe do vijojë ta përballojë edhe këtë por është problematike për të gjithë ndërtuesit si dhe qytetarët e Shkodrës për të cilët do rritet çmimi i shtëpive ndaj bashkia Shkodër do të duhet ta rishikojë këtë vendimarrje të saj.