Rritje e shpejtë infektimesh në Kosovë. Nga 1 janari më shumë se 5 mijë raste të reja me COVID-19. Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë se gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 728 raste të reja të të prekurve me COVID-19, një rritje kjo që nuk është parë që nga muajt e verës kur vendi u përball me situatën më të rëndë shëndetësore.
Sipas të dhënave, nga data 1 janar e deri më sot janë regjistruar 5 mijë e 378 raste të reja të infektimeve, dhe me shifrat e fundit, numri i rasteve aktive arriti në mbi pesë mijë, një shifër kjo që gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar sillej në rreth 300.
Shkalla e infektimeve kundrejt testimeve ditëve të fundit ishte rreth 3 për qind, ndërsa në 24 orët e fundit u rrit në afër 14 për qind. Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë për Zërin e Amerikës se aktualisht vendi po përballet me një rritje të lartë të infektuarve për shkak të përhapjes së variantit Omicron.
“Njihet për shpërndarje të shpejtë dhe kjo ka bërë që të kemi edhe një shumëfishim të rasteve këtyre ditëve në Kosovë por po e themi prapë situata gjithmonë do të jetë në kontroll për aq sa ngarkesa spitalore mbetët e ulët. Në momentin që kapacitetet spitalore ngushtohen apo kemi rritje të fluksit të pacientëve që do të kërkojnë tretman klinik atëherë situata mund të komplikohet”, tha ai.
Ai thotë se Komiteti për vlerësim dhe bashkërendim ende nuk ka rekomanduar ndonjë ashpërsim të masave.
“Aktualisht janë masat që janë ndërmarrë më 30 nëntor, ato kanë nevojë të zbatohen edhe më mirë dhe nëse ky komitet ditëve në vijim i rekomandon ministrit ashpërsimin e masave qoftë edhe në mënyrë selektive atëherë ministria mund t’i propozoj qeverisë së vendit masa të tjera, por tani për tani jemi me masat të cilat janë marrë në nëntor”, tha ai.
Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar rritjen e rasteve në Kosovë dhe se sipas tyre Kosova gjendet aktualisht në fillim të një vale të re të koronavirusit. Autoritetet thonë se në krahasim me valët e tjera, kësaj radhe shihet një numër më i ulët i atyre që kërkojnë trajtim në spitale ndërsa që nga 1 janari si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën katër persona, duke e çuar numrin në 2,994 të atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë./VOA/