Nxënësit e shkollës së mesme të Shupenzës ishin në orën e mësimit kur vënia në punë e kaldajës së re dhe bllokimi i oxhakut i mbushi klasat me dioksid karboni.
Rreth 60 nxënës të moshës 16-18 vjeç shfaqen simptoma asfiksie prej tymit, si dhimbje koke, marrje mendsh të vjella. Si pasojë e intoksimit 36 prej tyre janë transportuar në spitalet e Bulqizës dhe Peshkopisë. Tre janë në gjendje të rëndë dhe dy orë pas incidentit në shkollë u nis drejt Tiranës. Në transport kanë ndihmuar helikopterët e Ministrisë së Shëndetësi dhe një Task Forcë e posaçme e ngritur pas ngjarjes nga kjo ministri. Policia vazhdon hetimet për të gjetur shkaktaret e incidentit, prej të cilit shfaqen shenja asfiksie gjimnazistët. Më herët ministria e Shëndetësisë tha se numri i nxënësve të asfiksuar që po marrin mjekim është në rritje, por situata është nën kontroll dhe për çdo emergjencë, ka vënë helikopterin në dispozicion.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për shërbimin mjekësor në spitalet e Bulqizës dhe të Peshkopisë të 27 nxënësve, 15 prej të cilëve po marrin trajtimin e duhur mjekësor në spitalin e Bulqizës dhe 12 po transportohen aktualisht në spitalin e Peshkopisë.
Qendra Shëndetësore Shupenzë ka dhënë ndihmën e parë për të gjithë nxënësit dhe po vazhdon të japë shërbim në vijim të paraqitjes së rasteve të reja. Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor”, thuhet në njoftim.