Rruga në qendër të qytetit të Shkodrës vazhdon që të jetë e bllokuar duke ndaluar kështu kalimin e automjeteve nga ora 17:00 deri në orën 24:00. Ndërkohë nga pjesa e kryqëzimit të ish degës në drejtim të hotel “Golden Palace”, automjetet mund të kalojnë sepse ky segment është i zhbllokuar prej disa ditësh. Ndërkohë nga pjesa e “Golden Palace” deri tek ish 5 heronjtë, ky aks vijon që të jetë i bllokuar. Në këtë mënyrë të gjitha hotelet në qendër të qytetit, bashkë me banorët dhe kishën françeskane janë totalisht të bllokuar pasi nuk mund të lëvizin me automjete nga ora 17:00 deri në orën 24:00. Shqetësimet e bizneseve por edhe banorëve të zonës së qendrës që është bllokuar nga 1 dhjetori vijojnë që të jenë të mëdha duke qenë se ndodhen plotësisht të izoluar sa i përket lëvizjes së automjeteve. Ndërkohë ky bllokim për 7 orë me radhë nga pasditja deri në mesnatë, ka sjellë probleme edhe për shumë turistë të huaj por edhe vizitorë vendas që zgjedhin Shkodrën në këto ditë festash të dhjetorit. Ky bllokim për një muaj i qendrës së qytetit është një rast i paprecendetë dhe i pakonsultuar me bizneset dhe banorët e kësaj zone që preken drejtpërdrejtë nga ky vendim absurd i bashkisë Shkodër. Pavarësisht shqetësimeve të shumta në adresë të bashkisë deri më tani rruga vijon që të jetë e bllokuar edhe pse ankesat janë të mëdha. Në qendër të qytetit për të cilën bashkia Shkodër vendosi ta bllokojë janë një numër i konsiderueshëm hotelesh e biznesesh të rëndësishme të cilat janë prekur drejtpërdrejtë nga ky vendim i pastudiuar mirë dhe i pakonsultuar me palët e interesit. Bllokimi për një muaj është një kohë e gjatë ndaj pritet që në ditët në vijim bashkia të gjejë mundësinë për ta konsultuar edhe njëherë për të vendosur për një tjetër zgjidhje dhe jo bllokimin total të rrugës.