Rruga në qendër të qytetit të Shkodrës nga ish 5 heronjtë dhe deri tek ish kryqëzimi i degës vijon që të jetë e bllokuar në orët e pasdites. Këto pamje nga një vëzhgim i Star Plus në terren i përkasin orës 17:00 kur policia vendore e Shkodrës nisi të zbatojë vendimin e bashkisë Shkodër për bllokimin e këtij aksi kryesor deri në orën 24:00 që do të vijojë deri në fillim të janarit. Në fakt edhe në orën 17:00 kjo rrugë që është vendosur të bllokohet nuk ka aspak një fluks aq të lartë këmbësorësh gjë e cila vërteton se ai vendim i bashkisë nuk është më i sakti i mundshëm siç Star Plus e ngriti këtë shqetësim që në ditën e parë kur u rruga u bllokua. Vite më parë ka patur një projekt ide për të bërë një nënkalim në këtë pjesë qëndrore të Shkodrës nga zona e ish kinemasë deri pas xhamisë së madhe gjë e cila do të lehtësonte trafikun si dhe nuk do pengonte kalimtarët. Por në këto kushte kur nuk ka një nënkalim, është absurde që rruga të bllokohet plotësisht. Një mënyrë që bashkia do të duhet që ta marrë në konsideratë për të mos paralizuar totalisht banorët e gjithë kësaj zone kryesore dhe dhjetra biznese është që kalimi në atë aks të bëhet me një sens por jo të bllokohet plotësisht. Këtë sugjerim bashkia mund ta marrë në konsideratë sepse vendimi aktual nuk është i studiuar siç duhet. Ndërkohë këto pamje të tjera të mbrëmjes së djeshme janë pas orës 21:00. Në këtë orë rruga kryesore e qytetit siç shihet fare qartë nga këto pamje nuk ka aspak lëvizje këmbësorësh gjë e cila vërteton gjithashtu se vendimi i bashkisë Shkodër për të bllokuar të gjithë rrugën nuk ka asnjë lidhje me realitetin në terren. Qendra por edhe akset e tjera nuk kanë një ngarkesë të madhe këmbësorësh ndaj edhe nuk është aspak e nevojshme që rruga kryesore të bllokohet plotësisht duke paralizuar banorët, bizneset dhe vizitorët vendas e të huaj që mund të duan të kalojnë aty. Bllokimi i krejt atij segmenti nuk është i studiuar ndërsa kalimi me një sens mund të jetë një zgjidhje e pranueshme nga të gjitha palët.

Artikulli paraprakKRYEMINISTRI RAMA VIZITË NË SHKODËR: DUHET NDËRHYRJE NË HYRJEN E QYTETIT, ËSHTË SI SHTEG
Artikulli tjetërSI JETOJNË PERSONAT ME AFTËSI NDRYSHE!