BASHKIA SHTROI NJË PJESË TË RRUGËS POR HARROI PJESËN TJETËR. Para pak ditësh bashkia e Shkodrës quajti një sukses shtrimin me asfalt të një pjese të rrugës “Enver Draçini” në qytetin e Shkodrës.
Por në atë lagje prej më të vjetrave në Shkodër pjesa tjetër është lënë krejtësisht në harresë. Rruga e vjetër e Draçinit siç të gjithë e njohin është krejtësisht e amortizuar dhe thuajse e pakalueshme. “Star Plus” shtroi këtë problem duke drejtuar një pyetje edhe përgjegjësit të shërbimeve publike në Bashki Fatbardh Kuqi i cili në ditën kur tregoi për investimin në një pjesë të Draçinit nuk tha asgjë për pjesën tjetër të rrugës nëse do parashikohet apo jo në buxhetin e 2015-ës.
Vetë qytetarët thonë se gjatë këtyre 24 viteve vetëm janë gënjyer nga kushdo që i ka kërkuar votat nga Bashkia e Shkodrës.
Ky problem i rrugës së vjetër të Draçinit është ngritur edhe në mbledhjet e këshillit bashkiak por askush nuk është preokupuar. Rruga e vjetër e Draçinit duhet rikonstruktuar sa më parë sepse i gjithë uji që përshkohet aty përfundon në unazën e re që është ndërtuar. E nëse situata vijon e njëjtë në jo më pak së një vit ndoshta unaza mund të ketë dëmtime të rënda duke bërë që të shkojë dëm një investim i konsiderueshëm.