Banorët e Dukagjinit u ngritën dy ditë më parë në një protestë për herë të dytë brenda pak ditëve për të kërkuar ndërtimin e rrugës që lidh Shkodrën me njësitë vendore Pult, Shosh dhe Shalë të kësaj krahine. Pas protestës, përfaqësues të grupit organizator, zhvilluan një takim fillimisht në Prefekturën e Qarkut Shkodër. Te pranishëm në takimin e prefektes Majlinda Angoni me përfaqesinë e protestuesve, ishin edhe ministrja e Shtetit Elisa Spiropali, deputeti socialist Benet Beci si dhe drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli.

Ndonëse rruga është në inventarin e Bashkisë Shkodër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financimin e Qeverisë ka bërë të mundur hartimin e projektit teknik.Kostoja e realizimit të këtij investimi madhor po negociohet si pjesë e paketave të financimit të donatorëve ndërkombëtarë, në kuadër të një programi zhvillimi për Alpet dhe rajonin e Shkodrës”.-shkruan ministrja Spiropali.

Nderkohe nje reagim pas takimit me banoret e Dukagjinit beri edhe deputeti socialist Benet Beci i cili pritet qe ne zgjedhjet vendore te 14 majit te jete kandidat i PS per kryetar bashkie.

Së bashku me ministren Elisa Spiropali, prefekten Majlinda Angoni Jubani dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit/ Albanian Development Fund, Dritan Agolli, organizuam një takim me një përfaqësi të grupit organizator të protestës për rrugën e Dukagjinit. Përsëritëm edhe njëherë angazhimin në mbështetje të kërkesës së tyre të drejtë dhe diskutuam hapat e ndërmarrë deri tani.

Megjithëse rruga është në inventarin e bashkisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financimin e qeverisë shqiptare ka bërë të mundur hartimin e projektit teknik. Prezantimi i projektit dhe diskutimi rreth alternativave të gjurmës së rrugës do të zhvillohet në një takim të zgjeruar në fillim të prillit. Kostoja e konsiderueshme e ndërtimit të kësaj rruge po negociohet si pjesë e paketave të financimit të donatorëve ndërkombëtarë, në kuadër të një programi të madh zhvillimi për rajonin e Shkodrës”, shkruan deputeti Beci.

Pas takimit në prefekturë, përfaqesia e organizatorëve të protestës për rrugën e Dukagjinit, kane zhvilluar një takim edhe me kryetarin e Bashkisë Shkodër Bardh Spahia. Spahia thotë se mbështet plotësisht nismën e banorëve të Dukagjinit, duke thënë se projekti për këtë rrugë u la gati nga qeveria Berisha, por qe ju ndryshua destinacioni qëllimisht dhe me keqdashje nga qeveria Rama

Siç e kam shprehur në qëndrimet publike, mbështes plotësisht nismën dhe do të jem krah banorëve të Dukagjinit për të kërkuar me ngulm realizimin e investimit, që fatkeqësisht sillet sirtareve të shtetit pa u zbatuar si projekt prej 10 vitesh. U la gati nga qeveria e zotit Berisha si projekti dhe fondi për zbatimin e tij, por që ju ndryshua destinacioni qëllimisht dhe me keqdashje nga qeveria Rama. Bashkia Shkodër do të vazhdojë të realizojë detyrimin e saj të mirëmbajtjes siç ka bërë deri më sot, përtej vështirësive dhe problematikave që paraqiten për shkak të specifikave që ka zona. Pa dashur në asnjë moment ta përfshij këtë çështje në vorbullat politike, i kërkoj qeverisë shqiptare thjesht të zbatojë projektin e hartuar vite më parë dhe ta nisë si nevojë emergjente këtë investim që nuk do të vonojë të përkthehet në zhvillim për krejt zonën”.-shkruan Spahia.

Banorët e Dukagjinit shprehen të vendosur për të vazhduar protestat deri në plotësimin e kërkesës së tyrë për ndërtimin e rrugës.

 

Artikulli paraprakUKSH AKTIVITET NDËRGJEGJËSUES PËR RUAJTJEN E UJIT
Artikulli tjetërLEZHA FESTON DITËN E VERËS