Arbër Hajdari, themelues i fondacionit “Fundjavë Ndryshe” ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së emrit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në një nga rrugët e Bronx në Nju Jork.
Në fjalën e tij ai u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarët të bëhen bashkë dhe të mos harrojnë obligimet ndaj Shqipërisë.
Fjala
I dashur vëllai im Mark Gjonaj, vëllai dhe miku i të gjithë shqiptarëve që ndodhen në SHBA, përkrahësi, ndihmuesi, organizuesi, ju që keni qenë pikënisja, ideatori i këtij eventi, gjej rastin të të falenderoj.
Pas ftesës tuaj, fluturova dhe erdha nga vendi i Skënderbeut, këtu mes jush, tek stërnipat e Gjergj Kastriotit, në këtë rrugë që sot merr emrin e tij, në vëndin e lirisë.
Duke ardhur këtu mu kujtuan fjalët e tij.
* Lirinë e gjeta në mesin tuaj*
E s’ka si ndodh ndryshe, se liria ndodhet pa dyshim dhe mbi të gjitha, në kampionin e lirisë, në SHBA.
Të dashur miq!
Dëshira për të folur për heroin tonë kombëtar, nuk i mungon asnjërit prej nesh dhe nuk ka pikë dyshimi që secili do të rendiste pa u lodhur, kontributet e tij për lirinë dhe qytetërimin perëndimor.
Ne kemi luftën tonë, që vazhdon pa u ndalur, e cila na frymëzon dhe obligon, të punojmë pareshtur, për ta bërë Shqiperinë tonë të dashur dhe kombin shqipëtar, të ecë përkrah vëndeve më të zhvilluara të Perëndimit, me në krye SHBA, mikun tonë më të madh.
Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, të cilin kam nderin dhe përgjegjësinë për ta drejtuar, ndjehet krenar, sepse një pjesë e madhe e kontributeve të realizimit të kauzave tona, kanë ardhur pikërisht nga shqiptarët që punojnë e jetojnë në SHBA.
Ndaj gjej rastin t’ju falenderoj publikisht për solidaritetin dhe shpirtin human, që keni treguar për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat tuaja në varfëri në të gjitha trojet tona.
Ju, shqiptarët e amerikës, jeni shëmbëlltyra e bashkimit, modeli i suksesshëm i punës, sakrificës dhe kontributit për atdheun!
Me bëhet zemra mal, që çdo ditë e më shumë, po zbatoni më së miri një nga porositë e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, atë të bashkimit!
Ka ardhur koha, që shqiptarët, pavarësisht vendit ku jetojnë, bindjeve politike e fetare, të bëhen bashkë për të mos harruar obligimet që kemi për atdheun tonë, Shqiperinë!
Edhe pse midis nesh, ka prej tyre që thuprat e bashkuara të Skenderbeut tentojnë ti thyejnë një e nga një, jam i bindur se nuk do t’a arrijnë dot, pasi ne jemi më shumë se ata. Ne jemi shumica.
Ka ardhur koha kur njerëzve duhet ti flasë VEPRA DHE JO FJALA!
Uroj që ky event historik, të shërbejë si burim frymëzimi, për të gjithë shqiptarët, por edhe si thirrje për të reflektuar, kryesisht për të gjithë ata që drejtojnë popullin tonë në trojet ku jetojnë shqiptarët, për të mos harruar, amanetet e heroit tonë kombëtar dhe të gjithë heronjëve të tjerë të Kombit Shqipëtar.
I nderuar Kryetar i Bashkisë z. Eric Adams,
Sot ju jeni me stërnipat e Gjergj Kastriotit ,që kanë këto 3 cilësi të spikatura:
Trimërinë
Besnikërinë
E janë mbajtës të fjalës.
Ju jeni prej sot, pjesë e familjes tonë. Faleminderit për nderimin që na keni bërë. Faleminderit dhe krenar që jeni mes nesh dhe me ne.
Për të mos u zgjatur, po e mbyll po me tre nga porositë e fundit, të cilat Heroi ynë Kombëtar i tha me fjalë e i bëri me vepra.
“Askush s’ju mund po të jeni të bashkuar,
Kujdesuni për femijët dhe rininë,
Duajeni atdhenë si shqiponja folenë”.
Zoti e bekoftë dhe e ruajtë miqësinë e shqiptarëve me SHBA.
Ju faleminderit të gjithëve!