Para afro një muaji këshilli i bashkisë Shkodër miratoi emrin e rrugës “Mustafë Daija” në lagjen Draçin në Shkodër. Tabela me emrin e misionarit të pajtimit të gjaqeve dhe shuarjes së konflikteve është vendosur në zonën ku ai jetoi për shumë vite.Vajza e Mustafë Daisë, Fatmira Vata thotë se babai i saj e meritoi këtë nderim për kontributin që dha në pajtimin e gjaqeve.
Vajza e misionarit Mustafë Daija thotë se vitet ’90-2000 ishin shumë të vështira. Vrasjet dhe konfliktet e tjera ishin të shumta por ia doli që shumë prej tyre t’i pajtojë.
Djali i Mustafë Daisë, Gëzim Daija thotë se babai i tij vetëm gjakmarrje janë mbi një mijë që ka pajtur në Shqipëri dhe në trevat e tjera shqiptare.
Një kontribut Mustafë Daija dha edhe për mbledhjen e armëve në gjithë veriun e Shqipërisë në vitin e mbrapshtë 1997 duke marrë edhe një dekorim nga Presidenti Rexhep Mejdani që iu dha në vitin 2002.
Mustafë Daija lindi më 31 janar të vitit 1937 në lagjen “Draçin” në Shkodër. Në vitin 1961 deri më 1969 punoi si pjesë e stafit të teatrit “Migjeni” ndërsa më pas deri në vitin 1994 ishte pjesë e universitetit “Luigj Gurakuqi”. Nga viti 1992 deri në vitin 2014 kur ndërroi jetë Mustafë Daija ishte kryetar i shoqatës së pajtimit mbarëkombëtar të konflikteve dhe gjakmarrjes, një shoqatë që lindi për shkak të mosfunksionimit të shtetit dhe drejtësisë.
Mungesa e rendit solli vetëgjyqësinë duke sjellë më pas vrasje të panumërta. Mustafë Daija më 11 shkurt 2015 mori titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës. Tashmë rruga ku lindi mban emrin e misionarit “Mustafë Daija”.