Shtrimi me beton i rrugës së lagjes “Dragu” në Fushë – Bulqizë, ku dhe u reklamua një ditë më parë nga kryebashkiaku Lefter Alla, u bë hit në internet. Kjo për shkak se shtrimi ishte bërë vetëm në anët ku do të kalojnë gomat e automjeteve. Por për banorët e lagjes “Dragu” investimi ka zgjidhur një problematikë e cila i shoqëronte prej vitesh.
Vetë banorët shprehen se një kërkesë të tillë ja kanë dërguar ata bashkisë ku kjo e fundit ju ka mundësuar bazën materiale, ndërsa puna është bërë e gjitha nga vetë banorët.
Për Administratorin e Njësisë Administrative Fushë Bulqizë, Selim Alliu, ky lloj investimi, pra shtrimi me zhavor është bërë edhe në fshatra të tjerë të cilët kanë të njëjtat probleme. Alliu shtoi se kjo rrugë ju shërben banorëve dhe një vendi të shenjtë i cili vizitohet nga besimtarët vendas.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe vetë kryebashkiaku Lefter Alla. Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’, Alla tha se do të vijojë t’ju shërbejë banorëve me aq sa mundësi ka Bashkia, pasi nuk mund të vazhdojnë të jenë në të njëjtën gjendje si prej 30 vitesh.