Nënkryetari i Bashkisë Shkodër Dritan Meta kërkoi më tepër angazhim institucional për ofrimin e sigurisë në rrugën e Velipojës, kryesisht gjatë fluksit të lartë të automjeteve dhe sezonit turistik.
Duke iu referuar Degës Rajonale të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Meta tha se ky aks rrugor me gjatësi rreth 30 km nuk ofron as sigurinë minimale për përdoruesit e rrugës, andaj sipas tij ARRSH duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë. I pyetur në lidhje me investimet infrastrukturore në zonën e Velipojës, Meta iu rikthye akuzave ndaj qeverisë për mungesë fondesh.
Ai tha se Bashkia Shkodër ka dërguar disa projekte për lidhjen e rrugës kryesore me plazhin, por në papërgjegjshmëri të plotë tha ai qeveria nuk i ka financuar. Edhe më parë zyrtarët e Bashkisë Shkodër kanë akuzuar qeverinë për mosfinancimin e projekteve të hartuara prej saj.