Opozita ka vijuar me të njëjtin skenar si në dy seancat e fundit plenare, edhe në seancën e sotme në Kuvend. Në pak minuta, seanca është ndërprerë dy herë, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, është treguar shumë i përpiktë, teksa ju ka ndërperë fjalën deputetëve të PD, sapo ju ka mbaruar koha.
Së pari, Ruçi i ndërpreu fjalën Vokshit, duke revoltuar opozitën, që bllokoi menjëherë foltoren, ndërsa pas rinisjes së seancës u përsërit e njëjta situatë me Edi Palokën, i cili nuk pranoi të lirojë foltoren, edhe pas paralajmërimeve të Ruçit.
Kreu i Kuvendit ndërpreu seancën për 30 minuta, duke ironizuar opozitën, teksa ju tha “Ju erdhi ora, vazhdoni live në facebook!”
Kështu, kreu demokrat, Lulzim Basha, ka transmetuar live në ‘Facebook’ fjalën e nënkryetarit të PD, i cili vijoi me akuzat e forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të cilët nuk ndodhen në seancë.