Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur për të kryer këtë Reformën Zgjedhore.
“E falenderova Thomas Greminger për ekspertizën që OSBE i ka ofruar Kuvendit për legjislacionin, veçanërisht për Reformën Zgjedhore në Shqipëri. Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur për të kryer këtë Reformë.
Ndryshe nga herët e tjera kemi filluar nga puna që në fillim të kësaj legjislature, për t’i dalë përpara problematikave”, tha kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Ruçi dhe Greminger nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë, OSBE-së dhe Qeverisë Zvicerane në lidhje me projektin ri “Mbështetje për Kuvendin e Shqipërisë dhe Edukimin Qytetar”.
Projekti ka për synim t’i ndërgjegjësojë dhe fuqizojë qytetarët me qëllim që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse në vend.
I pyetur për reformën zgjedhore dhe votimin elektronik, Ruçi tha se beson se palët do të arrijnë në një produkt final, sa i përket reformës. Ndërsa në lidhje me votimin elektronik, Ruçi u shpreh se është një çështje në diskutim.
“Jam besimplotë që do të arrihet në një produkt final, të paktën sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIR. Komisioni është duke punuar, ai është duke u asistuar nga prezenca e OSBE, të cilët po japin edhe kontributin e tyre.
Unë mezi pres që mandati i dytë të sjellë për miratim produktin duke realizuar objektivat. Veç rekomandimeve, unë i prezantova edhe kërkesat nga palët politike. Votimi elektronik, apo votimi i emigrantëve dhe këto janë çështje që po diskutohen”, tha Ruçi.