Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh me rastin e 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës. Ai thotë në mesazhin e tij se Nënë Tereza është shembull i fuqisë së humanizmit dhe frymëzim për të shërbyer të ndriçuar nga drita e dashurisë
“Pesë vjet më parë, Papa Francesku, “i dhuroi” botës Shenjtoren Nënë Tereza. Nënë Tereza është krenaria e të gjithë njerëzimit, por më shumë dhe mbi të gjithë na bën krenar kombin e saj, ne, shqiptarët. Kjo heroinë e kohëve moderne ka frymëzuar miliona njerëz të shërbejnë të ndriçuar nga drita e dashurisë. Nënë Tereza ndryshoi botën dhe e bëri atë një vend me të mirë, nëpërmjet dhimbjes, përkushtimit dhe dashurisë. Nënë Tereza na mësoi se dashuria dhe paqja fillojnë te familja dhe shpërndahen drejt gjithë njerëzve, në të gjithë planetin dhe se dashuria merr kuptim kur shprehet në shërbimin ndaj të tjerëve. Nënë Tereza është shembulli se fuqia e shpirtit njerëzor dhe humanizmit qëndrojnë te besimi se veprat e vogla sjellin të mira të mëdha, të cilat duhet t’u takojnë të gjithëve.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.