Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi priti sot në takim ambasadoren gjermane në vendin tonë Susane Schutz e cila përfundon misionin e saj në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij Ruçi tha se zgjedhja për krizën politike në vend mund të vijë vetëm përmes dialogut, pa shkelur vijat e kuqe, të cilat siç tha Ruçi janë kushtetuta e ligji dhe pakthyeshmëria e reformës në drejtësi.

“Zgjidhja mund të vijë vetëm nëpërmjet dialogut, por pa shkelur vijat e kuqe të këtij dialogu, të cilat janë Kushtetuta e ligji dhe pakthyeshmëria e reformës në drejtësi. Gjithashtu Kuvendi ka krijuar të gjitha mundësitë që opozita parlamentare dhe joparlamentare të bashkëpunojnë për vazhdimin e reformave, përfshirë edhe reformën në drejtësi”, tha Ruçi

Ruçi shprehu gjithashtu urimet për zgjedhjen e Ursula von der Leyen, Ministres së Mbrojtjes së Gjermanisë, në krye të Komisionit Europian, një shenjë e ndikimit në rritje të Gjermanisë në arenën europiane dhe globale.

“Gjermania është lokomotiva ekonomike dhe politike e Europës, një magnet i fuqishëm për të gjithë popujt dhe vendet që aspirojnë për liri, demokraci e mirëqenie. Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë për mbështetjen gjatë gjithë tranzicionit, por në mënyrë të veçantë për mbështetjen e fuqishme të proceseve integruese. Ne u jemi thellësisht mirënjohës Kancelares Merkel dhe Presidentit të Bundastagut Shauble dhe jemi të bindur se rekomandimi i Komisionit Europian për hapjen pa kushte të negociatave nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e Gjermanisë, të Qeverisë dhe Bundestagut. Këtë mbështetje e konstatova edhe gjatë vizitës zyrtare në Gjermani dhe takimit me Presidentin Shauble dhe ministrin për Çeshtjet Europiane Roth. Shqipëria shpreson në vazhdimin e mbëshetjes së Gjermanisë edhe në mbledhjen e Këshillit Europian në tetor të këtij viti”, u shpreh kreu i kuvendit.

Schutz u shpreh e lumtur për eksperiencën në vendin tonë teksa deklaroi se Gjermania do vijojë të mbështesë rrugëtimin europian të Shqipërisë pasi edhe vetë kancelarja Merkel është e angazhuar në këtë proces.

“Unë jam e lumtur që kam punuar në një vend mahnitës dhe me një të ardhme të shkëlqyer. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Kancelarja Merkel është shumë e angazhuar për këtë proces.”, vuri në dukje ambasadorja Schutz.

Gramoz Ruçi, dhe ambasadorja Susane Schutz bizseduan edhe për çështje të situatës në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Artikulli paraprakQEVERIA I KALOI KOPSHTIN BOTANIK BASHKISË, SHKENCAT E NATYRËS: VENDIM ARBITRAR, TË ANULOHET, CENOHET AUTONOMIA
Artikulli tjetërBASHA ‘KËRCËNON’ ARKITEKTËT E HUAJ: GROPA E TEATRIT DO TË JETË PËR JU