Beteja politike e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Elbasanit do të jetë e ashpër mes kampit opozitar, ku do të jenë përballë Monika Kryemadhi, Gazment Bardhi dhe deputetja e opozitës së re Rudina Hajdari. Kjo e fundit ka bërë sot publike kandidaturën e saj nës siglën e partisë ‘Nisma Thurje’, teksa ka renditur një sërë arsyesh se përse ka zgjedhur pikërisht këtë qark.
“Kam vendosur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të kandidoj në qarkun e Elbasanit si kandidate e ‘Nismës Thurje’. Zgjodha Elbasanin, jo vetëm sepse ndihem e bekuar që jam rritur duke u larë në lumin Shkumbin, kam pirë nga burimet e pastra të ujit dhe kam shpenzuar një pjesë të mirë të fëmijërisë sime aty, por sepse së bashku me shumë të rinj dhe të reja në këtë qark besojmë se do të sjellim një ndryshim të vërtetë”, ka thënë Hajdari.
Të rinjtë, arsimi, turizmi, fermerët janë disa nga pikat kyçe të programit të saj politik.
“Ne besojmë se Elbasani nuk mund të vazhdojë të jetë një qendër e krimit të organizuar e as të damkoset si i tillë. Ne besojmë se Elbasani mund të zhvillohet si një qendër institucionale, larg ndotjes dhe mungesës së kujdesit për shëndetin siç ndodh deri më sot.
Ne besojmë se Elbasani ka një potencial të madh për t’u kthyer në një qendër turistike me liqenet e Belshit, me bukuritë e Gramshit apo me trashëgimitë kulturore të pasur që ka. Ne besojmë se duke shfrytëzuar potencialet dhe burimet mund të krijojmë se bashku vende të reja pune për t’i mbajtur të rinjtë këtu dhe për ta mbyllur plagën e emigrimit.
Me ndihmat e duhur fermerët e zonës do mund të prodhojmë në shumë dhe të shesin më shumë. Ne besojmë se Universiteti mund të kthehet në një institucion serioz i cili edukon brezat e ardhshëm dhe nuk është vatër korrupsioni”, shton deputetja.
Kjo betejë politike për Hajdarin nuk është me qëllimin që të marrë një vend në parlament, por një “luftë” për parimet.
“Beteja ime në politikë nuk është e fokusuar te pushteti me çdo kush të të qenurit në parlament apo privilegjet e politikës! Jo edukimi im, idealet e mia më shtyjnë që të luftojë për parimet”, përfundon Hajdari.