Dy ditë pasi u zgjodh kryetare e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari ka vendosur krijimin e një partie të re e cila do të quhet “Bindja Demokratike” dhe do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit.
Hajdari ka zhvilluar mesditen e sotme një takim me grupin parlamentar në fokus të së cilës ishte regjistrimi në zgjedhjet lokale.
Burime për Report Tv bëjnë me dije për gazetaren Esiona Konomi, se ka pasur diskutime në grup, duke qenë se disa prej deputetëve demokratë nuk kanë qenë dakord për regjistrimin në zgjedhje me argumentin se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u bërë gati për fushatë.
Partia “Bindja Demokratike” do të regjistrohet të martën, kur është dhe afati i fundit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe në Gjykatë.
Grupi i Rudina Hajdarit është duke përfunduar mbledhjen e 3 mijë firmave që i duhen për t’u regjistruar në gjykatë. Kjo është partia e parë që krijohet nga përçarja e demokratëve nga drejtimi i Lulzim Bashës.
Kjo lëvizje vjen pas boshllëkut të krijuar me daljen e grupit parlamentar të PD dhe djegies së mandateve nga ana e deputetëve opozitarë. Mësohet se pjesë e kësaj partie do të jetë edhe ish- deputeti Astrit Patozi, i cili ka shprehur publikisht mbështetjen për Hajdarin.
Ndërkohë, një ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbështeti vendimin e Hajdarit, për mosbojkotimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Hajdari, e ka cilësuar bojkotin në 30 qershor si një vetëvrasje politike, duke e cilësuar pjesëmarrjen në zgjedhje, si e vetmja rrugë për të ndryshuar sistemin në një vend demokratik.
21 prilli është afati i fundit për partitë që mund të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
Për shkak se 21 Prilli është ditë e dielë dhe e hëna korrespondon me pushim zyrtar, regjistrimi i subjekteve zgjedhore shtyhet deri në datën 23 Prill.
Dita e fundit e regjistrimit të koalicioneve politike është 1 maji, ndërsa 13 maji është afati për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe për këshilltarë bashkiakë.