Ecën, ushqehet vetë, është e pavarur dhe e ndërgjegjshme, por thotë se do të kishte dashur të vdiste e re. Kjo është gruaja më e vjetër në botë, sipas tgcom
Quhet Koku Istambulova, jeton në Çeçeni dhe është plot 129 vjeç. Apo, të paktën, kjo është mosha e deklaruar nga qeveria ruse në bazë të datës së pasaportës së saj, ku shkruhet :1 Qershor 1889.
Jetëgjata ruse ka humbur të gjithë dokumentat e saj gjatë luftës së dytë çeçene në vitet 1999-2009.
Konflikti i Kaukazit është vetëm një nga shumë konflikte të armatosura që Koku ka hasur në jetë: I mbijetoi Luftës Civile Ruse, Luftës së Dytë Botërore dhe dëbimit çeçen në 1944.
Ishte 27 vjeç kur Revolucioni Rus rrëzoi carin Nikolla i II-të.
Ishte 55 vjeç kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore dhe 102 kur ra Bashkimi Sovjetik.
Sipas saj, Koku ka patur një jetë të vështirë, mbushur me sakrifica, braktisje dhe humbje, si ajo e të birit në moshën 5 vjeçare.
Kujton më së miri kur makinat e armatosura naziste kaluan para shtëpisë së saj, apo kur, në ’44n ajo dhe familja e saj u dëbuan, bashkë me mijëra çeçenë, në Kazakistan dhe më pas në Siberi, me akuzën e “bashkëpunimit me nazistët”.
“Në Kazakistan ishim shumë keq”- tregon – “Kazakët na urrenin dhe unë për të larguar mendimet, punoja kopshtin tim”.
Ka kaluar shumë vite nëpër kampe dhe thotë se : “Kam punuar gjithmonë. Nuk kam patur kurrë një moment për të pushuar apo për t’u argëtuar”.
Kur e pyesin se kush është sekreti i jetgjatësisë së saj përgjigjet: “Nuk e kam zgjedhur unë, e ka zgjedhur Zoti. Nuk kam parë kurrë një ditë të lumtur, për mua jeta është një ‘ndëshkim hyjnor'”.
“Ka njerëz që bëjnë gjithçka për të qenë në formë dhe për të jetuar sa më gjatë – vazhdon ajo – Unë nuk kam bërë asgjë, përveçse kam ngrënë pak atë që nuk më pëlqen: mishin; dhe kam ngrënë shumë atë që më pëlqen shumë: qumshtin e fermentuar.”
Duke patur parasysh që vajza e saj e fundit, e zhdukur, Tamara, vdiq në moshën 104 vjeçare, me siguri që sekreti është tek gjenet, apo në tokën e Kaukazit që numëron shumë qindra vjeçarë mes banorëve të saj.
Për momentin, Koku mbetet, jo vetëm në vendin e saj, por në të gjithë botën, njeriu me më shumë vite jetë.
Edhe pse e quan veten “shumë të lodhur për të jetuar”, përgatitet të fryjë 129 qirinj duke thënë: “Do shoh edhe një muaj tjetër, nëse Zoti do të dojë.”