Mediat amerikane raportojnë se Rusia ka dislokuar në terren një raketë të re “Cruise” me rreze të mesme veprimi, akt ky që shkel traktatin, i cili i ka dhënë fund Luftës së Ftohtë.

New York Times dhe CNN citojnë zyrtarë të lartë amerikanë, por pa dhënë shumë detaje. I pyetur në lidhje me këtë zhvillim, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner konfirmoi se Rusia është në shkelje. “Ne i kemi bërë të qarta shqetësimet tona për sa i përket rrezikut që përbën për sigurinë në Evropë dhe Azi”, tha Toner. Gjatë fazës testuese, administrata e kaluar i ka bërë thirrje disa herë Rusisë që të ndalet, pasi një raport i Departamentit të Shtetit doli në përfundimin se Federata Ruse po shkelte detyrimet e saj që të mos prodhonte dhe testonte raketa “Cruise” me rreze 500 deri në 5 500 km. Më 2014-ën, kur doli ky raport, Moska akuzoi Washingtonin se po ndërmerrte një diplomaci megafonësh. CNN e quan këtë një akt tjetër që i shtohet serisë së provokimeve ruse në ditët e para të presidencës Trump, pavarësisht se ky i fundit flet për marrëdhënie më të ngrohta me Kremlinin. Sipas CNN, rusët kanë pozicionuar një anije spiune në brigjet e Delaware dhe kanë kryer fluturime pranë një anije luftarake amerikane, gjë që ka shkaktuar shqetësim te ushtarakët e lartë amerikanë, por zyrtarisht, administrata Trump nuk ka bërë ndonjë lidhje mes tre ngjarjeve. Sistemi rus i raketave mund të jetë në gjendje të kërcënojë vendet evropiane, anëtare të NATO-s. Një zyrtar i NATO-s ka thënë për CNN-in se traktati eliminon një kategori armësh që kërcënojnë Evropën, ndaj çdo shkelje e Rusisë është arsye për shqetësim.

Artikulli paraprakCELULARI MË I DASHUR NË BOTË ËSHTË GATI TË RIKTHEHET
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT, VRANËSIRA TË LEHTA DHE…