Rusia, inspektim në Shqipëri Ushtarakët rusë mbërritën në Shqipëri për të kryer një mision inspektimi armë-kontrolli në territorin tonë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë njofton se mbërritja e ekipit të ushtrisë ruse është një prej tre inspektimeve rutinë që Shqipëria ka detyrimin për t’i pritur dhe aplikimi i shtetit inspektues është bërë në përputhje me kërkesat e “Dokumentit të Vjenës” dhe po trajtohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm. Kërkesa u dorëzua në OSBE dhe Shqipëria, e cila është nënshkruese e Dokumentit të Vjenës dhe anëtare e kësaj organizate, ka detyrimin të lejojë inspektimet. Mësohet se Rusia ka kërkuar të inspektojë në një zonë prej 12 mijë kilometrash katrorë në vendin tonë, pothuajse e gjithë zona e aksesueshme me rrugë si dhe 16 mijë kilometra katrorë në Kroaci. Inspektimi vjen në një kohë kur në vendin tonë është duke u zhvilluar një stërvitje e përbashkët ushtarake me 1700 trupa ushtarake nga vendet e NATO-s dhe Kosova. Trupat janë duke u stërvitur në Bizë të Martaneshit. Të njëjtin inspektim, gjeneralët rusë e zhvilluan pak muaj më parë edhe në Poloni, ku NATO zhvilloi një stërvitje të madhe ushtarake.

Artikulli paraprakBASHA ME LU DHE ARVIZU:KRIMI,DROGA E KORRUPSIONI,RREZIK PER VENDIN
Artikulli tjetër“KAUBOJSI”RRIHET NE PRIZREN,DY TE NDALUAR.NDOCAJ PERGENJESHTRON